Macron e kërcënoi Kosovën me pezullim të vizave, Vuçiq e falënderon dhe thotë se e dënojnë sulmin në Banjskë

Prishtinë | 17 Tet 2023 | 17:59 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka komentuar deklaratat që ka dhënë presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në një konferencë në Tiranë.

Macron paralajmëroi Kosovën me “pezullim të vizave”, duke akuzuar palën kosovare se “s’po i mban fjalët”. Ai tha po ashtu se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duhet të dënojë sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë, ku vdiq rreshteri policor Afrim Bunjaku dhe u plagosën dy policë tjerë.

“Nuk dua të komentoj këtë. Është vendim i njërës prej vendeve më të fuqishme evropiane. Faleminderit Macronit për shumë gjëra tjera, për miqësinë që tregon ndaj Serbisë. Për vërejtjen që bëri se duhet të dënojmë dhunën në Banjskë. Ne e kemi bërë këtë disa ditë rresht, madje mendoj se i kam thënë këtë edhe Macronit kur kemi qenë në takim në Granadë”, ka thënë Vuçiq.

Vuçiq ka folur edhe për deklarimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili tha të hënën në Tiranë se i ofroi kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq, që të nënshkruajë marrëveshjen e Ohrit, por ajo e refuzoi.

Vuçiq tha se “Kurti sjell vazhdimisht diçka për të nënshkruar, të cilën e refuzojnë të gjithë”.

“Ai të thotë ‘të kam sjellë një deklaratë paqeje për ta nënshkruar’ dhe ti në atë moment mendon se ka sjellë diçka të këndshme për ty për të nënshkruar, sepse përdor fjalën ‘paqe’. Ai thjesht harron t’u thotë se deklaratën për paqe mund të nënshkruajnë vetëm shtetet sovrane dhe të pavarura. Pra, në sekondën që nënshkruani, atëherë keni pranuar pavarësinë e Kosovës”, thotë Vuçiq.

Ai ka thënë se BE-ja nuk është e kënaqur me sjelljen e Kurtit.

Sa i përket mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Vuçiq ka thënë se atje do të shkojë ai, Ana Bërnabiq apo Ivica Daçiq, “varësisht nga rrethanat”.

Vuçiq po ashtu ka thënë se ka biseduar me presidentin e Kenisë, William Ruto, në lidhje me çështjen e Kosovës.

Ai ka thënë se është i bindur se “Serbia s’do ta njohë Kosovën”.

Të ngjashme