Sulmuesi argjentinas i ka shënuar nëntë gola në pesë ndeshjet e fundit, duke e kaluar shifrën prej 40 golave për të dhjetin sezon radhazi. Forma e tij po e mban skuadrën e tij në garë për tripletën.
Lionel Messi e ka gjetur formën e tij më të mirë në momentin e përsosur për Barcelonën, tani që po afron fundi i sezonit. Kapiteni argjentinas i ka shënuar nëntë gola në pesë paraqitjet e tij të fundit, ecuria e tij më e mirë deri më tani. Tri prej këtyre golave erdhën nga goditje e lira, shkruan AS.
Het-triku i Messit kundër Real Betisit solli shumë lëvdata për argjentinasin, si dhe duartrokitje nga të gjithë pranishmit në stadiumin Villmarin. Forma e Messit nuk duket se po bie aspak dhe këtë e dëshmoi ai përsëri dje, në ndeshjen kundër Villarrealit, ku u tregua përsëri vendimtar, duke shënuar nga goditja e lirë afër fundit të ndeshjes.
Messi tani e ka kaluar shifrën prej 40 golave të shënuar për të dhjetin sezon radhazi, duke i shënuar 32 gola në La Liga, tetë në Ligën e Kampionëve dhe dy në Kupën e Mbretit. Ai është në rrugë për ta fituar Këpucën e Artë Evropiane për të tretin sezon radhazi dhe të gjashtin gjithsej në karrierë.
Atletico e Manchester Unitedi: Sfidat e radhës për Messin
Ecuria e Messit para portës në pesë ndeshjet e fundit e përbën 21 për qind të gjithsej golave të shënuar nga argjentinasi këtë sezon dhe nga pikëvështrimi i tij, ai nuk mund të kishte qenë në formë më të mirë në kohë më të përsosur. Kjo arritje është pjesërisht falë menaxhimit të Ernesto Valverdes e pjesërisht për shkak të pushimit që Messi e kishte marrë nga ekipi kombëtar.
Barazimi 4:4 në La Ceramica e lejoi Atleticon t’i afrohet Barcelonës për dy pikë në tabelën e La Ligës, para përballjes mes këtyre dy skuadrave këtë fundjavë. Fitorja e Atleticos do ta zvogëlonte epërsinë e Barcelonës në pesë pikë, me tetë ndeshje deri në fund të sezonit.
Pas kësaj, Barcelona do të sfidohet me Manchester Unitedin, që i ka humbur tri nga katër ndeshjet e fundit, për një vend në gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve. Me Messin në formë të mirë, klubi i Premierligës do ta japë më të mirën e vet më 10 prill në “Old Trafford”.