Majlinda Kelmendi pjesë e librit “Judo Legends”, botuar nga IJF

Prishtinë | 26 Tet 2022 | 12:14 | Nga Ekonomia Online

Federata Botërore e Xhudos ka botuar librin  “Judo Legends” (në shqip: Legjendat e Xhudos), në të cilin nuk është lënë pa u përmendur suksesi i xhudistes së njohur kosovare, Majlinda Kelmendit.

Në libër është cekur rekordi i Kelmendit në librin Guiness, për më së shumti medalje të arta të fituar në periudhën 2010-2020.

“Vasha kosovare e xhudos mban rekorde të pabesueshme në botën e xhudos… Mbajtja e Rekordit Botëror Guiness për më shumë medalje të arta të fituara në turneun botëror të IJF nga 7 maji 2010 deri më 24 tetor 2019”, thuhet në libër, transmeton Klankosova.tv.

Tutje në libër janë shkruar hapat në karrierën e sportistes nga Peja dhe një deklaratë inspiruese nga ajo, si dhe një fotografi e përbashkët me dy medalistet tjera të arta kosovare, Distra Krasniqin dhe Nora Gjakovën.

“Njerëzit, sidomos fëmijët në Kosovë, më shikojnë mua si një heroinë. Ua kam dëshmuar atyre se edhe pas një lufte, nëse ata duan diçka, ata mund ta arrijnë. Nëse ata duan të bëhen kampionë Olimpikë, ata munden”, është deklarata e Kelmendi pasi fitoi për herë të parë medalje Olimpike në Rio 2016, që është transmetuar në libër.

“Suksesi i Kelmendit dhe eksperienca gjatë karrierës së saj kanë inspiruar gjeneratën e ardhshme të xhudos në Kosovë që të ndjekin gjurmët e saj”, shkruhet tutje në libër.

Të ngjashme