Makth nga çimkat: Insekte të dëmshme shumë rezistente

Prishtinë | 07 Tet 2023 | 15:02 | Nga Ekonomia Online

Një vit para zhvillimit të Lojërave Olimpike, Parisi po lufton kundër epidemisë së çimkave. Por këto insekte është e vështirë t’i luftosh. Të njëjtën përvojë ka pasur edhe autorja e DW që shkroi këtë artikull.

Një nga gjërat më të këqija që shkaktojnë çimkat, dhe ata që nuk e kanë provuar ndonjëherë nuk e dinë, është paniku që shkaktojnë dhe që zgjat me vite të tëra edhe pasi ke shpëtuar prej tyre. A është pickimi i tyre i ndryshëm nga pickimi tipik i mushkonjave? Kur sheh një pickim mund të thuash pa problem që është pickim çimke! Po kur sheh një varg pickimesh rreshtuar njeri pas tjetrit? Edhe atëherë mund të thuash që është pickim çimke! A keni gjetur ndonjëherë në dyshemenë e banesës një insekt që nuk e dini çfarë insekti është? Pikërisht – ai mund të jetë çimkë! 

Njeriu bëhet paranojak. Më besoni, unë e di mirë për çfarë po flas. Disa ditë pas kthimit nga një pushim që kalova në Rumani në verë të vitit 2016, unë pashë që kisha në lëkurë gunga që më kruheshin shumë. Kur shkova tek mjeku mësova se ishte tamam ajo prej së cilës kisha frikë se kish ndodhur, më kishin zënë çimkat. 

Ky lloj paraziti ka qenë i përhapur në shekullin e 20-të, pastaj u zhduk për disa dekada. Dhe që nga fundi i viteve nëntëdhjetë, çmikat janë kthyer sërish. Ato gjenden kudo, jo vetëm në hotelet e lira e të papastra, por edhe në hotelet me apartamente luksoze e të shtrenjta, gjenden në mobiljet e përdorura që blihen në eBay, gjenden në valizhet që ndodhen pranë valizheve tuaja në bagazhet e avionëve. Dhe prej andej ato kalojnë në banesë. 

Të ngjashme