Analisti politik Shkëlzen Maliqi ka vlerësuar se dështimi i ratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi edhe në kushtet normale do të duhej ta kishte për pasojë rrëzimin e Qeverisë.
Ky dështim, sipas tij, shkaktoi edhe atë tjetrin, më të dhimbshmin, se Qeveria e Isa Mustafës nuk arriti ta sigurojë liberalizimin e vizave. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Maliqi ka treguar se për prishjen eventuale të koalicionit kanë kontribuuar mosunitetet brendapartiake te të dy partitë rreth çështjeve kyçe që shkaktuan bllokadën e qeverisjes.
Maliqi ka thënë se teknikisht, proceduralisht dhe politikisht, Kosova është e gatshme për të shkuar në zgjedhje të parakohshme.
Por, ai nuk pret që as në këto zgjedhje të ketë ndryshime të mëdha të shpërndarjes së votave tek elektorati.
Sipas Maliqit, asnjë parti, si edhe më parë, nuk do të jetë fituese e pastër ose me përparësi bindëse ndaj subjekteve të tjera që ia siguron komoditetin e zgjedhjes së partnerit për pushtet.