Njohësi i proceseve politike në Kosovë, Agon Maliqi thotë se “njohja e tërthortë” me Serbinë do t’ia hapte Kosovës rrugën për njohjen e shteteve anëtare të BE-së dhe NATO-s si dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.
Kjo do t’ia zgjidhte në masë të madhe problemin më të madh Kosovës, thotë Maliqi, ndonëse thekson se s’duhet hequr dorë zyrtarisht nga kërkesa për njohje të drejtpërdrejtë.
“Le të mos e njohë Serbia formalisht një shtet i cili për disa vite (për shkak të heqjes së pengesave) mund të jetë pjesë e NATO-s. Gjithsesi, “njohja e tërthortë” sipas modelit të dy Gjermanive, si formë e “shpëtimit të fytyrës” për Vuçiq, do të duhej që njëkohësisht ta ulte edhe koston e kompromisit nga ana e Kosovës. Kjo edhe për faktin se Kosova nuk ka garanci për hyrje në OKB, ku pengesë është Rusia e cila i ka pazaret e veta me perëndimin”, shrkoi Maliqi të dielën në Facebook.
Ai thotë se Beogradi shqetësohet kryqsisht për shkak se nuk mund të imponojë kompromis të favorshëm për veten në procesin e dialogut.
“Pamundësia për ta imponuar një kompromis paralizues i cili do ta zhbënte së brendshmi efektin e njohjeve ndërkombëtare është shqetësimi kryesor i Beogradit. Jo rastësisht zëra nga “shteti i thellë” kleriko-fashisto-nacionalist në Serbi janë të alarmuar paksa nga zhvillimet e fundit. Mbetet të shihet se kush do t’ju bashkohet atyre në Kosovë”, shkruan Maliqi.