Malisheva – Llapi, derbi i madh i mesjavës

Prishtinë | 13 Mar 2024 | 09:55 | Nga Ekonomia Online

Ishte fillimi i muajit dhjetor kur Llapi pësoi humbjen e fundit në Superligën e Kosovës në futboll.

Humbjen, llapjanëve në Podujevë ua shkaktoi Malisheva. Në stadiumin “Zahir Pajaziti”, Llapi kishte pësuar nga Malisheva me rezultatin 1:0, në ndeshjen e xhiros së 16-të.

Malisheva e Llapi përballen sërish dhe ndeshja pritet të jetë derbi i vërtetë. Takimi mes Malishevës dhe Llapit zhvillohet të mërkurën nga ora 13:00 dhe i takon xhiros së 25-të.

Malisheva pësoi dy humbje rresht brenda pak ditësh nga kampioni i Kosovës, Ballkani. Një humbje e pësoi në Kupë dhe një tjetër në kampionat.

Por trajneri i Malishevës, Qëndrim Kida, beson se ekipi i tij do t’u kthehet fitoreve. Malisheva e kërkon fitoren përballë Llapit, që është në seri prej gjashtë ndeshjeve pa humbje. Për të dalë fitues nga stadiumi “Liman Gegaj”, Kida pret ndihmën e publikut.

“Përballemi me Llapin, një prej ekipeve pretenduese për titull. Ne luajmë në shtëpinë tonë dhe do të tentojmë t’u kthehemi fitoreve dhe ecurisë që kishim. Ekipi është mjaft i motivuar dhe shpresoj që ndaj Llapit ta kemi përkrahjen masive të publikut të qytetit tonë. Përkrahja e tyre do të në ndihmonte shumë për të bërë një paraqitje të mirë”, ka thënë Kida të martën.

Malisheva nën drejtimin e Kidës ka arritur rezultate të mira. Është në vendin e katërt me 41 pikë, dhjetë më pak se lideri Ballkani.

Llapi është në vendin e dytë me 50 pikë, kurse Drita në vendin e tretë i ka 46 pikë. Malisheva synim ka daljen në Evropë, ndërsa Llapi synon titullin e kampionit.

Llapi në fundjavë fitoi ndeshjen shumë të diskutuar ndaj Gjilanit me rezultatin 2:1. Malisheva e Llapi luajtën edhe më 27 shtator. Ndeshjen në Malishevë e pati fituar Llapi me rezultatin 3:2.

Trajneri Tahir Batatina ka bindjen se Llapi do ta shënojë edhe fitoren e dytë këtë edicion përballë Malishevës.

“Do të jetë ndeshje e vështirë, sepse Malisheva ka treguar këtë kampionat lojëra të mira. Do të mundohemi të paraqitemi sa më mirë. Lojtarët tanë janë të motivuar. Grupi i lojtarëve është me një atmosferë të shkëlqyer dhe kjo ka rëndësi shumë për ne si skuadër. Do të shkojmë të luajmë të qetë, sepse futbolli e do qetësinë”, ka thënë Batatina.

Të mërkurën luhen edhe dy ndeshje të tjera. Ballkani luan në udhëtim ndaj Fushë Kosovës, në Lipjan. Gjilani e pret Lirinë.

Të enjten, Prishtina luan ndaj Dukagjinit, derisa Feronikeli 74 kundër Dritës.

Superliga – 25

E mërkurë (13:00)

Malisheva – Llapi

Gjilani – Liria

Fushë Kosova – Ballkani

E enjte (13:00)

Prishtina – Dukagjini

Feronikeli 74 – Drita

  1. Ballkani 24 15 6 3 43:21 51
  2. Llapi 24 15 5 4 38:18 50
  3. Drita 24 14 4 6 30:14 46
  4. Malisheva 24 13 2 9 39:30 41
  5. Prishtina 24 7 13 4 26:22 34
  6. Dukagjini 24 7 10 7 26:28 31
  7. Feronikeli 74 24 7 5 12 23:35 26
  8. Gjilani 24 5 7 12 19:26 22
  9. Fushë Kosova 24 3 7 14 15:37 16
  10. Liria 24 1 7 16 15:43 10

Të ngjashme