Malta lejon zbarkimin e imigrantëve pas revoltës së tyre

Prishtinë | 07 Qer 2020 | 14:47 | Nga Ekonomia Online

Malta ka lejuar 425 imigrantë, të ngujuar në det për më tepër se një muaj, që të zbarkojnë të dielën, pasi një grup i tyre ka kërcënuar se do të rrëmbejë ekuipazhin e njëres prej anijeve ku po mbaheshin, kanë njoftuar autoritetet, shkruan agjencia Reuters.

Kryeministri i Maltës, Robert Abela, ka thënë se Qeveria është detyruar të veprojë, pasi ekuipazhi i një prej anijeve ka kontaktuar direkt për ndihmë.

“Na kanë dhënë një orë afat për të reaguar, në të kundërtën do ta rrëmbenin ekuipazhin”, ka thënë ai në intervistë për televizionin shtetëror. Ai ka treguar se autoritetet kanë vendosur që mos të futen me dhunë në anije, pasi ushtria ka paralajmëruar se imigrantët dhe personeli do të mund të pësonin.

Televizioni shtetëror TVM ka treguar se emigrantët kanë marrë në kontroll anijet, duke lënë ekuipazhin dhe personelin e sigurimit në urë. Anija më pas u dërgua për në portin në Valletta nga dy anije të ushtrisë. Qeveria e Maltës ka filluar të vendosë imigrantët e shpëtuar në anije turistike nga fundi i prillit, pasi ka insistuar se portet në Maltë janë mbyllur për shkak të pandemisë COVID-19. Po ashtu është thënë se qendrat e pranimit në ishull janë të mbushura, teksa shteteve anëtare të BE-së u janë dërguar ankesa për premtimet e parealizuara për pranimin e imigrantëv e nga Malta.

Tensionet në rritje në Libi, ku qeveria e njohur ndërkombëtarisht e kryeministrit Fayez al-Sarraj, ka luftuar forcat e komandantit lindor Khalifa Haftar, ka rritur shqetësimet në Evropë për një valë të re të emigrantëve. Abela ka konfirmuar sërish se Bashkimi Evropian ka injoruar gjendjen e vështirë të emigrantëve, duke lënë shtetet që kanë pranuar anijet e refugjatëve të vetme për t’u përballur me situatën.

Të ngjashme