Zëvendësasistenti për Operacione i Sekretarit gjeneral të NATO-s, John Manza, ka konfirmuar se NATO me vëmendje po përcjell zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), sektorin e sigurisë, dhe gjithashtu është duke shqyrtuar letrën e kryeministrit të Kosovës, ku së shpejti do të del me një përgjigje.
Këto komente ai i ka bërë pas takimit me ministrin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli, të cilin e përgëzoi për të arriturat si dhe zhvillimin e FSK-së.
Kurse, sa i përket pjesëmarrjes së FSK-së, në ushtrimet fushore të përbashkëta ndërkombëtare, si dhe shkollimeve dhe trajnimeve, Manza tha se “strategjia juaj që përmes pjesëmarrjes në operacione stërvitore të përbashkëta, si në Kosovë, ashtu edhe në vendet partnere, është strategji shumë e mirë, dhe garantoj në mbështetjen e strategjisë së FSK-së, që përmes stërvitjeve të përbashkëta me vendet e NATO-s, vendet partnere të dëshmojë për aftësitë e saja ndërvepruese”.
Ministri Demolli e njoftoi delegacionin e NATO-s, për punën dhe angazhimin e shkëlqyer të NALT-it në MFSK dhe FSK, e gjithashtu edhe për punën dhe koordinimin e shkëlqyer edhe me dy mekanizmat pararendës të tyre, si NATO dhe NALT.
Ai tha se këshillimi dhe koordinimi me mekanizmat e NATO-s ndihmon dhe lehtëson zhvillimin, avancimin e FSK-së me standarde që do të mundësojnë ndërveprueshmëri si dhe do të përgatisë institucionet e sigurisë për anëtarësim në mekanizma; iniciativa rajonale dhe globale, dhe përfundimisht në Aleancën Veri-Atlantike, synim ky shumë i vendosur i Republikës së Kosovës.
Ndërsa për procesin e transformimit të FSK-së, në Forca të Armatosura të Kosovës, ministri Demolli, tha se “në vazhdimësi i kemi njoftuar të gjithë aktorët, i kemi caktuar elementet kryesore të transformimit, fazat si dhe kemi përgatitur amendamentet dhe pakon e ligjeve“.
“I tërë procesi, do të jetë transparent për institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare, duke garantuar që Kosova është e vendosur në ndërtimin e një Force, që do të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës, si dhe Forcë, që do të kontribuojë për paqe dhe stabilitet në rajon dhe më gjerë”.
Për sukseset e përgjithshme të FSK-së, trajnimet, ushtrimet e përbashkëta ndërkombëtare, si dhe ftesat që Kosova ka marrë, për të marrë pjesë në ushtrimet e deritanishmeve edhe në ushtrimet ndërkombëtare, delegacionin e NATO-s, e njoftoi gjeneral brigade Zymer Halimi, drejtor i Drejtorisë për Operacione.