MAP-i nxjerr raport për shkeljet etike dhe të legjislacionit anti-korrupsion në shërbimin civil

Prishtinë | 20 Maj 2019 | 13:49 | Nga Ekonomia Online

Këtë vit për herë të dytë Ministria e Administratës Publike ka publikuar një raport të veçantë lidhur me masat disiplinore të ndërmarra kundër nëpunësve civilë për shkeljen e anti-korrupsionit dhe etikës, të cilin mund ta shkarkoni në këtë link https://map.rks-gov.net/desk/inc/media/7144FD0F-D52E-47E2-A5C6-6C2CDD8D728C.pdf

Raporti në fjalë ofron informacion për nëpunësit civilë kundër të cilëve një vendim i masave disiplinore është marrë nga administrata ose gjykata për shkelje të etikës dhe klauzolave të legjislacionit anti-korrupsion në përputhje me Ligjin për Shërbimin Civil, Ligjin Kundër Korrupsionit, Ligjin Për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik, Ligji për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 04/L-050 për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë të Zyrtarëve të Lartë Publik dhe Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Dhuratave për të gjithë personat zyrtarë, Kapitulli XXXIV i Kodit Penal, si dhe Rregulloren 04/2015 për Kodin e Mirësjelljes në Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës.

“Qëllimi i këtij raporti është i dyfishtë: në radhë të parë ky raport synon të rrisë transparencën dhe llogaridhënien e qeverisë ndaj qytetarëve të Kosovës lidhur me mënyrën se si janë trajtuar shkeljet etike dhe shpërdorimi i detyrave dhe kompetencave zyrtare (korrupsion) në administratën publike. Së dyti, ky raport synon të sjellë më shumë vëmendje në rolin e rëndësishëm që administrata publike ka në luftën kundër korrupsionit”, tha Mahir Yagcilar, Ministër i Administratës Publike.

Yagcilar e shpjegoi se në përgjithësi, gjatë vitit 2018, duke përfshirë nivelin lokal dhe qendror së bashku, gjithsej ka pasur 82 raste të masave disiplinore ndaj nëpunësve civilë për shkelje të etikës dhe legjislacionit anti-korrupsion. Nga 82 raste, 64 raste kishin shkelje të rënda, ndërsa 18 raste ishin shkelje të lehta. Gjatë vitit 2018, është marrë vendim për ndërprerjen e marrëdhënies së punës ndaj 19 nëpunësve civilë si rezultat i shkeljeve që ata kishin kryer. Gjatë vitit 2018 nga të gjitha 82 rastet, gjithsej ishin 7 femra të përfshira, në krahasim me 75 meshkuj.

Në lidhje me nivelin qendror, gjatë vitit 2018, pati 43 raste të masave disiplinore ndaj nëpunësve civilë për shkelje të etikës dhe legjislacionit anti-korrupsion. 33 raste kanë përfshirë shkelje të rënda, ndërsa 10 raste shkelje të lehta. Vendim për ndërprerjen e punësimit si rezultat i shkeljeve të kryera, është marrë kundër 14 nëpunësve civilë.

Sa i përket nivelit komunal, gjatë vitit 2018, ka pasur 39 raste të masave disiplinore ndaj nëpunësve civilë për shkelje të etikës dhe legjislacionit anti-korrupsion. 31 raste kanë përfshirë shkelje të rënda, ndërsa 8 raste kanë pasur shkelje të lehta. Vendim për ndërprerjen e punësimit si rezultat i shkeljeve të kryera, është marrë kundër 5 nëpunësve civilë.

Drejtori i Departamentit për Administrimin e Shërbimit Civil z. Tefik Mahmuti, sqaroj se masat disiplinore më të zakonshme kanë qenë pezullimi parandalues bazuar në nenin 69 të Ligjit për Shërbimin Civil Nr. 03 / L-149. Këto masa disiplinore ishin të zakonshme veçanërisht në rastet kur shkeljet kërkonin hetime të mëtejshme ose nga institucionet e administratës publike ose të Gjyqësorit. Këto masa disiplinore gjithashtu janë marrë në rastet kur nëpunësi civil është akuzuar ose ka qenë nën hetime për ndonjë shkelje.

Shumica e masave disiplinore janë marrë nga Komisionet Disiplinore në përputhje me legjislacionin ekzistues. Ndërprerja e punësimit si masë disiplinore ndaj nëpunësve civilë është marrë në rastet e shkeljeve shumë serioze dhe kur ka pas një vendim gjyqësor të formës së prerë për një çështje përkatëse. Në raste të tjera, Komisionet Disiplinore kanë nxjerrë, në përputhje me legjislacionin, vendime për pezullim parandalues me zvogëlim të pagesës. Kjo ka ndodhur sidomos kur një zyrtar i caktuar po kalonte në një proces gjyqësor ose kur është ngritur një aktakuzë për zyrtarin përkatës.

Sipas Yagcilar raporti tregon se kuadri ligjor dhe institucional i krijuar për parandalimin dhe ndëshkimin e abuzimit në administratën publike është duke funksionuar. Për më tepër, raporti gjithashtu tregon rolin dhe kontributin e rëndësishëm që administrata publike duhet të ofrojë në luftën kundër abuzimit dhe korrupsionit në sektorin publik. Shpresa jonë është që raporti dhe të dhënat e publikuara do t’i ndihmojnë institucionet të identifikojnë dobësitë e mundshme dhe të ndërmarrin masat e nevojshme për të forcuar më tej aktivitetet e tyre parandaluese.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme