Asociacioni i Komunave të Kosovës e ka akuzuar Ministrinë e Administrimit dhe Pushtetit Lokal (MAPL) për neglizhencë dhe mosdërgim në Qeveri të Projektligjit për dhënie në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të komunës.
Kjo neglizhencës sipas Asociacionit ka ndikuar direkt në moszhvillim të komunave dhe mungesë të investimeve të huaja, shkruan sot “Koha Ditore”.
Asociacioni kishte kërkuar nga viti 2015 që të ndryshohet ligji në fjalë, në mënyrë që të përfshijë kërkesat e komunave, megjithatë edhe pse ishte paraparë që të bëhet në vitin e kaluar, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, ka thënë për gazetën se të gjitha organizatat i kanë bërë me kohë komentet, por është neglizhencë e Ministrisë që nuk e ka dërguar më herët në Qeveri këtë projektligj.
Sipas tij, ky ligj ka rëndësi shumë të madhe për zhvillim ekonomik lokal dhe joshje të investitorëve të huaj dhe se arsyeja që kanë kërkuar ndryshimin e tij dhe aprovimin e ligjit të ri është shkaku i procedurave, siç ka thënë, burokratike që parashihen në ligjin aktual.