MAPL thotë se po përmbyll një vit të suksesshëm, mes “sukseseve” ridizajnimi i webfaqeve

Prishtinë | 11 Dhj 2018 | 19:16 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) ka mbajtur takimin e fundvitit, për të shënuar të arriturat, si dhe janë prezantuar orientimet për vitin e ardhshëm.

Rozafa Ukimeraj, sekretare e Përhershme në MAPL, ka folur për suksese, në një ndejë me punonjës të kësaj ministrie.

Ndër sukseset, ajo ka numëruar miratimin e Ligjit për Prishtinën, ridizajnimin e webfaqeve të 38 komunave, raporton Ekonomia Online.

“Është miratuar Ligji për Kryeqytetin. Kemi bërë rregulloren për sistemin e menaxhimit të performancës së komunave. Këtë vit qeverisja elektronike ka qenë prioritet yni; me mbështetjen e projektit SDC/DEMOS kemi ridizajnuar web-faqet e 38 komunave”.

“Gjatë këtij viti është rritur përformanca vjetore, është rritur efikasiteti i administratës, ndërsa janë ulur shpenzimet në mallra e shërbime”.

E arritur tjetër, sipas Ukimerajt, është se gjatë këtij viti, MAPL ka arritur përfaqësimin e barabartë gjinor në kuadër të shërbimit civil në të gjitha nivelet.

“MAPL është e përkushtuar në avancimin e qeverisjes lokale duke dhënë kontribut në përmirësimin e qeverisjes lokale”, theksoi ajo.

Sekretarja e Përheshme e MAPL, më tutje shtoi se theks të veçantë vitin e ardhshëm do të kenë në zhvillimin e politikave dhe legjislacionit në fushat e vetëqeverisjes lokale.

“Prioritetet për vitin e ardhshëm janë: përmirësimi i sistemeve online të shërbimeve për qytetarë. Në kuadër të bashkëpunimit ndërkufitar, do të vazhdoj përkrahja e komunave kufitare në vlerë prej 6.3 milion euro” ka thënë Ukimeraj.

Në fund të këtij takimi, janë ndarë mirënjohje për gjashtë punëtorët më të suksesshëm gjatë vitit 2018.

 

Të ngjashme