Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar dje për vizitë pune në Kanada ku do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë në Halifax, raporton Ekonomia Online.
Në këtë forum pjesëmarrës do të jenë edhe ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari.
“Komandanti i FSK-së, Gjeneral Bashkim Jashari së bashku me Ministrin e Mbrojtjes, Z. Ejup Maqedonci, po merr pjesë në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë “HALIFAX 2024” në Kanada, i cili është duke u mbajtur nga data 22 nëntor 2024. Qëllimi i këtij forumi është që të mbledhë së bashku në kontinentin e Amerikës, vendet demokratike duke përfshirë edhe vendet përtej atlantikut që të vendosin një kurs se si të ballafaqohen me kërcënimet që iu bëhen demokracive të botës. Kjo konferencë ka si fokus çështjet e sigurisë me të cilat ballafaqohet Aleanca e Atlantikut dhe shtetet tjera që ndajnë vlerat e përbashkëta të saj”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.
Sipas njoftimit gjeneral Jashari në ditët në vijim do të vazhdojë të ketë takime të nivelit të lartë me homologë dhe personalitete të larta nga vende të ndryshme të botës.
Delegacioni i KOMFSK-së do të vazhdojë të marrë pjesë në sesionet dhe aktivitetet përkatëse të kësaj konference me ndikim global.