Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka përkujtuar Zahir Pajazitin për nder të ditës së dëshmorëve të Komunës së Prishtinës, raporton Ekonomia Online.
Pas homazheve që ka bërë tek shtatorja e tij, Maqedonci tha se Kosova po ecën në rrugë të duhur me fuqizimin e ushtrisë duke iu referuar të kaluarës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Për zhvillimin e të gjithë atyre luftëtarëve që i mbijetuan luftës e që u bënë pjesë e strukturave të sigurisë edhe mbrojtjes. Sot në këtë ditë përkujtimi, unë mund të them që sot vendi ynë po ecën në drejtimin e duhur. Ushtria jonë po ndërtohet duke pasur gjithmonë për bazë, themelet e saj, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, gjakun e derdhur për liri, sakrificën e brezave të tërë për lirinë e vendit tonë. Fuqizimi i ushtrisë, armatosja e ushtrisë, zhvillimi i ushtrisë po bëhet gjithmonë duke iu referuar një të kaluare që është shumë e lavdishme, që është e kaluara e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit, lavdi dëshmorëve të komunës së Prishtinës.”, tha Maqedonci para mediave.
Kurse ish komandanti i UÇK-së, Adem Shehu ka përkujtuar të gjithë dëshmorët duke rikujtuar se si disa prej tyre lanë jetën në perëndim për të luftuar për Kosovën.
“Dëshmorët janë gjithmonë këtu, sepse këta janë ndarë fizikisht, por shpirtërisht janë mushkëritë e një kombi që do frymojë për gjithë vitet. Bashkëluftëtarët e mi të Gollakut prehen në tokën e lirë të Kosovës. Ishte sakrifica e këtij burri, këtij djali që la gjurmë, një hero që me aktivitetin e tij krijoi simpati për familjen, simpati për legjionin ku jemi dhe ngriti lart nderin e kombit shqiptar. Koleg, bashkëluftëtar i komandantit Adem Jashari, shkojmë te këto vende ku këto kryen karrierën e parë të komandantit. Te ajo pllakë përkujtimore ku janë stërvitur, është ajka e Kosovës që menaxhoi luftën. Ata krijuan ushtrinë në rrethim, i dhanë fizionomi të plotë për të zbatuar ato detyra me karakter mirëfilltë luftarak. Ata ranë në fushë të nderit duke u përballur me forcat pushtuese serbe. I përjetshëm kujtimi dhe mesazhi që përcjellin dëshmorët është të mos harrojmë aktivitetin e tyre, t’i lëmë Kosovës të ardhme të ndritur dhe brezat ta shikojnë se kush janë themelet e kësaj lirie. Në krah kam një bashkëluftëtarin tim, që me moshatarët e tij la luksin e Perëndimit dhe i thirri Kosova. Ata kishin jetë më rehat në Zvicër, Gjermani, Belgjikë, por gjeni i detyroi të vijnë dhe të kontribuojnë për Kosovën. Aktualisht, puna e kolegut tim që kemi vepruar në të njëjtën njësi, në kualifikimet e mëvonshme, mbaroi dy akademi atje ku shkojnë ata që menaxhojnë sigurinë e kombeve dhe janë faktorë kryesorë në të gjithë rruzullin tokësor. Kjo është një hap cilësor që po ia besojmë ardhmërinë atyre djemve që dje ishin në luftë, sot menaxhojnë sigurinë e Kosovës. Ky është një kolegu im që ju paqe-trashëgoftë. Por kemi edhe të tjerë që i shërbejnë Kosovës në sfera të ndryshme, me lëmi të ndryshme, dhe më vjen mirë që ky brez, ose brezi i luftës, jo se jemi më të mirë sesa prindërit tanë dhe ato që i quajnë të burgosur politikë, por janë të burgosur të çështjes kombëtare. Do të jemi mirënjohës sepse trasuan një rrugë të shenjtë për lirinë e kombit. Faleminderit, qofshim gjithmonë faqebardhë, mbarësi paç Kosova”, tha Shehu.

