Komisioni parlamentar për çështje kushtetuese në Maqedoni i hapi rrugën debatit në seancë plenare të parlamentit mbi projekt-amendamentet për ndryshimet kushtetuese, përkatësisht për ndryshimin e emrit të vendit në Republika e Maqedonisë së Veriut, sipas marrëveshjes së 17 qershorit me Greqinë.
Në këtë mënyrë, Komisioni parlamentar e kaloi fazën e parë të kësaj sfide jo të lehtë që i pret ligjvënësit brenda pak ditësh. Dhjetë deputetë të komisionit kushtetues nga radhët e partive qeveritare dhe të partive joqeveritare shqiptare votuan pro vendimit që Parlamenti ta mbështesë propozimin e Qeverisë për ndryshimet kushteuese dhe parlamenti të sjellë vendim për qasjen tek ndryshimi i Kushtetutës.
Ndërkaq, shtatë deputetë të opozitës maqedonase të drejtuar nga VMRO-DPMNE votuan kundër.
Parlamenti e ngarkon qeverinë që brenda një periudhe kohore prej 15 ditësh ta përgatisë tekstin e ndryshmeve kushtetuese, shkruan Top Channel.
Seanca plenare për këtë pritet të mbahet të hënën.
Në fazën e dytë, parlamenti duhet ta miratojë projektin e amendamenteve kushtetuese dhe për këtë kërkohet një shumicë prej 50 përqind plus 1, ose 61 vota të deputetëve.
Pas debateve në seancë plenare kalohet në votim për çka nevojiten dy të tretat e votave nga 120 ligjvenlsit sa ka parlamenti i Maqedonisë.
Por, shumica parlamentare nuk i ka dy të tretat e nevojshme për votimin e ndryshimeve kushtetuese.
Së bashku me dy deputetët e Aleancës për Shqiptarët dhe dy deputetët tjerë të njërit krah të Lëvizjes Besa, të cilat nuk janë pjesë e qeverisë, llogariten 71 deputetë, ndërsa duhen edhe nëntë deputetë nga radhët e opozitës maqedonase për të arritur dy të tretat.