Maqedonia dhe Serbia janë renditur vendet e para në botë për hapjen e vendeve të reja të punës nga investimet e huaja, në raportin e fundit të Institute for Business Value (IBM).
Derisa Shqipëria as që figuron në këtë listë, edhe pse në vlerë absolute përllogarit investimet e huaja më të larta në rajon, rreth 900 mln euro në 2015. Por, vendi nuk ka përfituar prej tyre për të rritur punësimin.
Në listë është edhe Bosnjë Hercegovina. Për Maqedoninë flitet me superlative. Raporti vlerëson se investimet e huaja janë përqendruar në ato sektorë ku mundësitë për punësim janë më të mëdha.
“Duke u pozicionuar fuqimisht në sektorë të tillë si transporti dhe pajisjet elektrike, ato ofrojnë avantazhe të larta krahasuese në krahasim me konkurrentët e Europës Lindore dhe Qendrore”, theksohet në raport.
Në Shqipëri, në vitin 2015, rreth 40% e investime të huaja vinin nga sektori i hidrokarbureve, raporton Monitor. Ky sektor, sic edhe tregojnë të dhënat, mundësitë e punësimit i ka të kufizuara. Investimet kishin të bënin kryesisht me hapjen e pusevet të reja, pra pa efekt në punësim. Një pjesë tjetër e investimeve ishte në telekomunikacion, por edhe këtu investimi është thuajse zero, pasi paratë u paguan për marrje licensash.
Ndryshe nga retorika politike, të dhënat e ekspertëve botërorë të ekomisë, si ky raport i fundit, tregojnë se investimet duhen orientuar drejt sektorëve që hapin vende pune për popullsinë.
Në rajon, është industria përpunuese ajo që ka rritur punësimin, një sektor që nuk ka nevojë për “specialistët” që kërkohen në Shqipëri për t’u punësuar nga qeveria.