Maqedonia e Veriut i njeh lejet e vozitjes të Kosovës

Prishtinë | 20 Maj 2019 | 14:59 | Nga Ekonomia Online

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut e ratifikoi marrëveshjen me Republikën e Kosovës për njohjen reciproke të lejeve për vozitje, bazuar në marrëveshjen e arritur mes dy shteteve më 28 janar, 2019.

“Me qëllim përmirësimin e sigurisë në komunikacionin rrugor në territoret e shteteve nënshkruese të marrëveshjes, dy palët, në mënyrë reciproke, i njohin lejet e vozitjes, të lëshuara në territoret e shteteve të tyre në bazë të qëndrimit të rregullt të përcaktuar nga institucionet përkatëse”, thuhet mes tjerash në nenet e marrëveshjes së ratifikuar.

Marrëveshja është mbështetur nga të gjithë deputetët, përfshirë edhe ata të partisë opozitare VMRO DPMNE, por vërejtja e tyre ka pasur të bëjë me zvarritjen e procedurave për nisjen e punimeve ndërtimore për autostradën Shkup-Bllacë, që lidh Maqedoninë e Veriut me Republikën e Kosovës.

Deputeti Ilija Dimovski tha se janë të pakuptimta vonesat e autoriteteve kur kihet parasysh fakti se pala kosovare e ka përfunduar pjesën e saj të autostradës Prishtinë-Shkup.

Me këtë, sipas deputetit të opozitës maqedonase, qeveria ka dështuar në premtimin e saj për ndërtimin e infrastrukturës me shtetin fqinj.

Nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut është njoftuar se projekti është në përfundim e sipër, ndërsa punimet pritet të nisin gjatë këtij viti.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme