Profesori i shkencave politike në Kolegjin UBT, Alfred Marleku, thotë se Kosova është në rrugën e saj të krijimit të një subjektiviteti ndërkombëtar, por ende ka çalime serioze në këtë drejtim.
Republika e Kosovës, ndonëse është një shtet i ri që tashmë njihet nga 114 shtete të botës, si vend tash e nëntë vjet nga shpallja e pavarësisë, ka mbetur jashtë Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Në kuadër të strategjisë për anëtarësim në mekanizmat ndërkombëtarë, si synim parësor, Kosova ka anëtarësimin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Por, përkundër përpjekjeve, Marleku thotë se gjasat për anëtarësimin e shpejtë të Kosovës në këtë organizatë shumë të rëndësishme, janë të ulëta.
“Gjasat për anëtarësimin e Kosovës në OKB, në një periudhë afatshkurtër janë shumë të vogla, për shkak se që të anëtarsohet një shtet në këtë organizatë duhet të pranohet nga të gjitha anëtarët e Këshillit të Sigurimit. Pra, anëtarë të përhershëm janë edhe Rusia e Kina dhe pa miratimin ose abstenimin e tyre asnjë shtet nuk pranohet në OKB”, theksoi Marleku.
Ndërkohë, sipas tij Serbia nuk është sfida kryesore për pranimin e Kosovës në OKB. Kushti i vërtetë që duhet t’i parashtrohet Serbisë është pranimi i pavarësisë së shtetit të Kosovës, pa asnjë kufizim.
“Kosova nuk mund të anëtarësohet në OKB pa e njoftë Rusia. Qëndrimi rus për të njohur Kosovën është se ata e njohin këtë shtet vetëm atëherë kur e njeh Serbia”, ka thënë Marleku.
Ndërkohë, vitin e kaluar Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, kishe deklaruar se nuk është Serbia pengesë për anëtarësimin në OKB, por vetoja ruse. Ai pat thënë se politika ruse ndaj Kosovës është shumë komplekse dhe ka disa nivele të cilat Kosova duhet të kuptojë raportin me Rusinë.
Organizata e Kombeve të Bashkuara është formuar me 24 tetor të vitit 1945, me qëllim të ruajtjes së paqes, sigurisë dhe mirëqenien e të gjithë qytetarëve në mbarë botën.