Pak më shumë se gjysmë viti e kanë në dispozicion autoritetet e Kosovës dhe ato të Serbisë, për të mbërritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obliguese, në kuadër të asaj që e kanë cilësuar fazë përfundimtare të dialogut.
Kjo meqë marrëveshja synohet të mbërrihet në kuadër të mandatit aktual të strukturave të Bashkimit Evropian, shkruan sot Koha Ditore.
Faza finale, sikurse edhe gjithë procesi i deritashëm dialogues, është lehtësuar nga përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme.
Dialogu kishte nisur në kohën kur këtë pozitë e kishte baronesha Catherine Ashton, ndërsa synohet të përmbyllet nga pasuesja e saj, Federica Mogherini. Në fillimvitin e ardhshëm, Mogherinit i përfundon mandati.
Bekim Çollaku është këshilltar i presidentit Hashim Thaçi. Një ditë më parë, ai e ka shoqëruar kreun e shtetit në takimin e parë të fazës finale të dialogut, të zhvilluar në Bruksel me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.
Ai ka treguar të hënën se sa intensive do të jenë bisedimet dhe brenda çfarë kohe synohet të përmbyllet faza e dialogut që ka marrë start të dielën.