Marrëveshja si arkëmort i kujtesës kolektive

Prishtinë | 01 Mar 2023 | 10:04 | Nga Afrim Kasolli

Me sa më kujtohet ka qene viti 2004. Ishte koha kur UNMIK-u po eksperimentonte me anë të një inxhinieriungu mental, lloj-lloj modelesh dhe metodash, me synim prodhimin e një amnezie kolektive për krimet e shtetit serb kundër shqiptarëve. Transmetoheshin reklama dhe shfaqje se si Kosova duhej ta harronte të kaluarën dhe të orientohej nga e ardhmja.

Financoheshin grupe të shoqërisë civile. Krijoheshin organizata multietnike. Dhe afirmoheshin projekte në funksion të këtij qëllimi. Dhe në atë kohë më rastisi të takohem për një kafe me Albin Kurtin, pas kërkesës së tij, që ua kishte bërë disa miqve tjerë. Biseda u orientua kryesisht në këtë temë, natyrisht edhe çështje tjera sikur se, fushata absurde “standartet para statusit”.

I interesonte mendimi im se si duhej të ballafaqoheshim në lidhje me këto kërkesa morbide të bashkësisë ndërkombëtare. Çdo gjë reduktohej në kategorinë e të drejtave të zbrazëta të njeriut. Thuajse ne ishim njerëz pa histori, pa identitet nacional dhe pa trashëgimi.

Opinioni im ishte i ndërtuar mbi tri parime kryesore. E para se kjo nuk mund të kalojë, sepse ne fillimisht jemi diskriminuar, persekutuar, shtypur dhe luftuar nga shteti serb, para se gjithash sepse ishim shqiptarë. Prandaj, në këtë rast nuk mund të mbrohej asnjë e drejtë njerëzore dhe universale, pa e marrë në konsideratë dimensionin konkret të tyre. Pra projekti gjenocidial i Serbisë ishte i drejtuar kundër shqiptarëve dhe rezistences sonë për t’ u mos asimiluar dhe dorëzuar dhe jo njeriut në përgjithësi si qenie abstrakte.

E dyta pa kërkuar Serbia falje as që ia vlen të flitet për këtë temë. Sepse ne nuk mund ta shlyejmë këtë trashegimi me një të rënë të lapsit. Por edhe sikur ajo të kërkonte falje ne mund të falim nën emrin tonë personal. Por nuk kemi asnjë të drejtë morale që të falim nën emrin e vuajtjeve të viktimave. Dhe e treta përpjekja për të ndërtuar çfarë do llojë paqe që i mungon drejtësia është e destinuar të dështojë.

Albin Kurti, atëbotë larg pushtetit dhe vetëm si një aktivist i zakonshëm u solidarizua plotësisht me këto konstatime. Madje pat filluar t’i konsideronte si imperative afirmimin e tyre ndaj asaj përpjekje për të instaluar një harresë të organizuar.

Por, kujt do t’i shkonte mendja se zhvlerësimin e kësaj trashëgimie, që nuk arriti dot ta bënte as UNMIK-u, as EULEX- i, dhe askush tjetër, do të pajtohej ta marr përsipër pikërisht Albin Kurti, tani si kryeministër i Kosovës, me anë të marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, duke u zotuar se do të angazhohet për të” kapërcyer trashëgimin e së kaluarës”.

Mirëpo, e njëjta logjikë vlen edhe për të. Sepse dakordimi për këtë formulim, nuk është asgjë tjetër, pos nje arkëmort i parimeve morale dhe etike, si dhe i rezistencës sonë kombëtare që është pjesë inherente e kësaj trashëgime. Ai edhe mund të pajtohet personalisht, por këtë nuk ka të drejtë kurrë ta bëjë nën emrin e viktimave. Dhe atë jo vetëm të atyre të shkaktuara në luftën e fundit, por të gjitha viktimave që shteti serb i ka prodhuar për gjatë një shekulli në përpjekjen e tij gjenocidiale kundër shqiptareve. Shpirti i tyre nga parajsa e panteonit të historisë kombëtare na fton jo për harrese, por për drejtësi.

Shpërfillja e këtij detyrimi, nuk është asgjë tjetër, pos riviktimizim i tyre. Bie fjala, çfare kuptimi ka të shkosh nesër nëpër vendet e shenjta të historisë sonë, sikur se, te kullat e Jasharëve, te shtëpia muze e Ukshin Hotit etj etj, kur pajtohesh se duhet te kapërcehet kjo trashëgimi. Sepse rënia tyre ishte e lidhur me këtë rezistencë.

Por mbase nuk duhet të befasohemi më këto kthesa të Kurtit. Sepse, tashmë ai ka kohë që si hero të tij e ka shpallur Oliver Ivanoviqin.

Të ngjashme