Ligji për ratifikimin e marrëveshjes së emrit të Maqedonisë, të hënën pritet të kalojë në Qeveri, ndërsa i njëjti do të dërgohet në Kuvend për miratim. Për miratimin nevojitet shumicë e thjeshtë, gjegjësisht shumica e të pranishmëve në sallë. Nga kuorumi minimum i 61 deputetëve, 31 nevojitet që të votojnë ‘pro’.
Sipas procedurave, ligji dërgohet në presidencë. Presidenti Ivanov në afat prej shtatë ditëve duhet të firmosë të njëjtin. Përderisa Ivanov përdor të drejtën e vetos, marrëveshja kthehet prapë në procedurë parlamentare, ndërsa atëherë do të nevojiten minimum 61 vota të deputetëve për miratimin e ligjit dhe i njëjti përsëri kthehet tek presidenti, i cili sipas kushtetutës është i obliguar që ta firmosë. Mirëpo presidenti Ivanov tashmë ka bërë të ditur qëndrimin e tij se nuk do të firmos një marrëveshje të tillë.
Implementimi i marrëveshjes do të zhvillohet në disa etapa. Do të hyjë në fuqi pasi dyja palët do ta pranojnë në përputhje me procedurat e brendshme, ndërsa përderisa cilado palë nuk e pranon marrëveshjen atëherë ajo nënkupton se e njëjta nuk vlen. Qytetarët do të thonë fjalën e tyre në referendum, i cili pritet të mbahet në shtator ose tetor.