Me moton “Zbulimi Hershëm i kancerit të gjirit, mbijetesë” është marshuar në sheshet e kryeqytetit, raporton Ekonomia Online.
Ky manifestim ka për qëllim vetëdijesimin ndaj sëmundjes së kancerit të gjirit dhe përçimin e mesazhit vetëdijësues për kontrolle të rregullta me qëllim zbulimin e hershëm të kësaj sëmundje.
Manifestimi filloi së pari me një pikë vallëzimi nga Baleti i Kosovës.
Ish-presidentja Atifete Jahjaga ka kërkuar nga institucionet përgjegjësie që t’i përkrahin gratë e prekura nga kanceri i gjirit.
“Kemi bërë një rrugëtim të gjatë, por kemi ende rrugë, sfida e shumë angazhim nga institucionet e vendit. Një takim mjekësor mund të shpëtojnë jetën e një gruaje që është shtyllë e familjes”.
“Një përkrahje me medikamente lehtëson barrën ekonomike dhe psikologjike të tyre”.
“Te dashura mike ju jam mirënjohëse për qëndrueshmërinë tuaj. Jeni frymëzim për mua. Ne këtë luftë jemi së bashku, nuk jeni vetëm”, shtoi ish-presidentja.
“Ju jeni arsyeja kryesore që jam së bashku me ju. Edhe sot shënjomë muajin tetor me këtë ecje simbolike. Për ju që luftoni ngjyra rozë nuk është ngjyrë që simbolizon luftën po si një ngjyrë e qetësisë”.
Sipas saj, që nga janari janë 912 raste me kancer dhe 211 raste vetëm me kancer të gjirit, prandaj ajo ka kërkuar që të punohet në parandalimin e kësaj sëmundje duke e diagnostifikuar me kohë, raporton EO.
“Kanceri nuk i ka kursyer gratë. Vetëm në Kosovë nga janari janë 912 raste me kancer 211 janë me kancer të gjirit. Vitin e kaluar ky numër ishte më i vogël. Kjo rritje na bënë për shtimin e masave parandaluese. Diagnostikimi me kohë shpëton jetë”.
“Sot më lehtë të bëhet zbulimi i hershëm dhe të shpëtohet jetë. Një zë i fuqishëm është Nafije Latifi dhe qendra e saj ‘Jeta Vita’, e cila është e përkushtuar në këtë betejë me shumë gra dhe burra”, tha Jahjaga.
Dafina Ismajli, onkologe, theksoi që gjithmonë ka admiruar këto gra të fuqishme që vazhdojnë të luftojnë kancerin e gjirit.
“E nderuar por e vogël karshi jush, femra të guximshme që përballen me kancer. Si grua ju kam admiruar, kur humbjen e keni pranuar me lehtësi, kur keni përballuar kimioterapinë, si nënë ju kam admiruar që dilni para nesh e të ndani historinë. Pas marrjes së terapisë keni vrapuar te familja, te puna. Vazhdoj t’ju admiroj çdo ditë për luftën që bëni për të ecur përpara. Sot stigma nuk ekziston falë jush. Ne do jem në shërbimin tuaj. Luftën do ta bëjmë se bashku”.
“Jo të gjithë bëjmë gjera të mëdha por ne mund të bëjmë gjera te vogla me dashuri, citoi nënën tereze”, tha ajo.
Drejtoresha nga Qendra kosovare për luftimin e kancerit të gjirit, “Jeta- Vita”, Nafije Latifi tha se këtyre grave u duhet edhe mbështetje psiko-sociale.
“Qendra jonë ka lobuar te çdo ministër për t’ju dalë në ndihmë grave që luftojnë me sëmundjen. Suksesi mund të arrihet me mbështetje nga institucionet”.
“Kjo nuk luftë vetëm e grave, por edhe gjithë familjes dhe shoqërisë. Lus të shtohet përkujdesa për këto gra. Është nevojë e pashmangshme të kenë mbështetje psiko-sociale, të kenë mundësi të rikonstruktimit të gjirit. Këto do të duhej të siguroheshin nga institucionet”, u shpreh Latifi.
Arnisa Osmani, e mbijetuarat nga kanceri i gjirit, para të pranishmëve tha se me vullnet njeriu mund të kapërcej çdo sëmundje.
“Vet fjala kancer është tmerr, mirëpo me vullnet njeriu i fiton të gjitha. Ju falënderoj të gjithëve që më kanë përkrahe dhe që sot jam këtu me juve. Duajeni jetën dhe shkoni në kontrolle mos i leni në momentin e fundit”, rrëfeu Arnisa.
Hikmete Xharra, e pranishme në këtë marsh tha se gratë të cilat luftojnë me këtë sëmundje nuk kanë përkrahje institucionale.
“Për vite vijmë edhe për të tjerr edhe për vete. Secila grua duhet të vetëdijesohet që me shëndet nuk ka. As këto gra e askush nuk kemi përkrahje institucionale”, tha ajo.
Gylten Nobërda, një tjetër pjesëmarrëse në këtë aktivitet, theksoi se kjo ditë shënon fuqinë e gruas dhe dëshirën e saj për të luftuar dhe jetuar.
“Siç dihet, është dita kundër kancerit të gjirit. Jemi emocionuar sepse kjo ditë shënon fuqinë e gruas, dëshirën për të luftuar dhe jetuar dhe jemi bashkangjitur që të ndihmojmë”, e cila tregoi se të hënën së bashku me doktorë nga Turqia e onkologë të njohur, do të diskutojnë për këtë temë.
“Duke pasur parasysh që Kosova është një shtet i ri dhe ekonomikisht ende jo shumë të zhvilluar dhe përveç ndihmës së shtetit edhe ne shoqatat jemi të gatshëm të ndihmojmë. Ky organizim dëshmon se jemi të gatshëm të ndihmojmë”, u shpreh ajo.
Muaji tetor, në gjithë botën është muaji i ndërgjegjësimit për luftimin e kancerit të gjirit. Ky është manifestimi i 12 qe po mbahet.