MAShT fillon akreditimin e shkollave profesionale

Prishtinë | 02 Sht 2016 | 16:53 | Nga Fitore Zena Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Arsim Bajrami, ka bërë të ditur vendimin për fillimin e procesit të validimit të kualifikimeve dhe akreditimit institucional të institucioneve të arsimit dhe aftësimit profesional.

Rreth akreditimit të shkollave profesionale ministri i Bajrami tha se për herë të parë në Kosovë kanë sjellë vendimin për fillimin e procesit të validimit të akreditimit të shkollave publike profesionale, që është një veprim i domosdoshëm për ngritjen dhe monitorimin e cilësisë, në arsimin profesional.

Ai theksoi se arsimi profesional do të mund të shihet si një prioritet kombëtar, i cili do të mund të sigurojë punësim, dhe do të plasojë nxënës specialist në tregun e punës.

“Ne për herë të parë po e nisim një proces shumë të rëndësishëm që do të ketë tri rezultate pozitive: Do të ketë shtyrje profesionale të shkollave të punës për të shkuar drejt profileve ku ka treg të punës; do të ngritë cilësinë dhe do të prodhojë specialist; dhe do të ngritë cilësinë me shkathtësi të standardizuar evropiane” theksoi ministri Bajrami, raporton Ekonomia Online.

Sipas ministrit Bajrami kjo do t’iu ndihmojë shumë nxënësve tanë që kur të dalin jashtë vendit pas liberalizimit të vizave, të mos jenë vetëm punëtor krahu.

Drejtoresha e Autoritetit Kombëtar të Kualifikimeve, Teuta Danuza e përshëndeti këtë proces të akreditimit, sepse siç tha ajo, kjo do ta ndihmojë drejtpërdrejt në ngritjen e cilësisë.

“Jemi të gatshëm që brenda afatit ligjor të përcaktuar me vendim, si dhe afateve tjera ligjore të përcaktuara nga kriteret dhe standardet e Kornizës të realizojmë dhe implementojmë procesin e validimit dhe akreditrimit të programeve”, tha ajo.

Akreditimi i shkollave profesionale, sipas saj, përbëhet prej tri fazave:

Faza e parë: Institucioni do të përgatitë një aplikacion dhe dëshmi lidhur më gjendjen ekzistuese brenda institucionit, ku shkolla duhet të dorëzojë një pasqyrë të gjendjes, qoftë ajo për strukturën apo për nxënësit, laboratorët, klasave, po ashtu edhe përmbajtjen e programeve se a bazohen ato programe në standardet e profesionit apo jo.

Faza e dytë: Një grup i ekspertëve të jashtëm në fushat dhe profilet përkatëse bëjnë një vizitë në institucionin dhe përgatisin një draft-raport për  gjendjen e shkollës në baze të dëshmive që i ka sjellë shkolla.

Faza e tretë: Përfshin gjendjen ekzistuese të shkollës si dhe rekomandimet e ekspertëve lidhur me programin që ofron shkolla dhe institucioni ku ofrohet ai program.

Ky proces do të fillojë me Qendrat e Kompetencës dhe shkollat ku janë përfunduar standardet e profesionit, për të vazhduar më pas me të gjitha shkollat tjera profesionale në Kosovë, në pajtim me mundësitë buxhetore dhe planifikimet kohore dhe sipas rekomandimeve të ekspertëve vendorë dhe ndërkombëtarë.

 

 

 

 

Të ngjashme