Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) e ka anuluar sot trajnimin për inspektorë të paraparë të mbahet në Durrës.
Këtë e ka konfirmuar drejtori i Inspektoratit të Arsimit, Dëfrim Gashi. Ka raportuar sot se MASHT-i planifikonte t’i dërgonte në një hotel në Durrës 38 inspektorë që të trajnohen për zbatimin e kurrikulës bërthamë.
Ministria kishte vendosur që të ja paguajë Institutit për Kontabilitet, Auditim dhe Financa (KAF) 550 euro për person për ndjekjen e këtij trajnimi. Në total vetëm për këtë trajnim, MASHT do të shpenzonte 20.900 euro.
Përveç shumës mbi 20 mijë euro për trajnim, MASHT-i do të paguante edhe mëditje inspektorëve duke e ngritur koston për buxhetin në afër 25.000 euro.
Grupi i parë është dashur të nisë trajnimin sot deri më datën 27 tetor, kurse grupi i dytë ka qenë e paraparë të shkojë më 31 deri më 3 nëntor.
Drejtori i Inspektoratit, Dëfrim Gashi ka thënë se vendimin për anulimin e këtij trajnimi në Durrës e ka marrë sot ministri, Shyqiri Bytyqi.
“Trajnimi është anuluar, ministri ka marrë vendim sot dhe do të shikohet mundësia që të gjendet ndonjë vend në Kosovë për t’u mbajtur trajnimi”, ka thënë Gashi.
Gashi një ditë më parë ka thënë se trajnimi ka qenë i domosdoshëm derisa ka shtuar se për vendin e mbajtjes ka vendosur Instituti KAF. Ndërkaq KAF ka thënë se vendosën që të mbahet në Shqipëri pasi menduan se efektet do të jenë shumë më të mëdha dhe se, sipas tyre, edhe në Kosovë çmimet nuk janë më të lira.