Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), Shyqiri Bytyqi, ka marrë pjesë në vënien e gurthemelit të Shkollës Fillore “Ali Asllani”, në Doganaj të Kaçanikut, raporton Ekonomia Online.
Në këtë objekt, MAShT-i do të investojë 1 milion e 150 mijë euro i cili parashihet të jetë një ambient modern.
Ministri Bytyqi tha se është obligim i MASHT-it të siguroj ambiente moderne për nxënësit dhe mësimdhënësit.
“Sot është kënaqësi të jemi këtu që të vihet gurthemeli i një objekti të ri shkollor. Ky nuk është vetëm një premtim të cilin e kemi dhënë për të pasur një objekt të ri, por është edhe një obligim i yni si MAShT që në gjithë Kosovën të krijojmë ambiente që kanë nevojë mësimdhënësit tanë dhe nxënësit tanë’, tha ai.
Bytyqi tha se është obligim i përbashkët i të gjithëve që të angazhohen në mënyrë që të ngritët cilësia në arsimin e Kosovës.
Ai tha se me këtë investim prej 1 milion e 150 mijë eurove do u lehtësohet puna mësimdhënësve në këtë shkollë.
“Ne si ministri po marrim për obligim që këto ambiente t’i shndërrojmë në ambiente moderne, ndërsa obligimi i përbashkët që na takon të gjithë neve, është që të angazhohemi të gjithë së bashku ta ngrisim cilësinë në shkolla, hapi parë është të kemi objekte moderne, hapi i dytë është angazhimi i përbashkët i yni që të kemi mësimdhënie dhe nxënie moderne. Ky projekt i cili është ndarë nga Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë është mjaft modern dhe ka vlere 1 milion e 150 mijë euro, por që do të krijohen standardet e larta të ambienteve shkollore dhe do t’ua lehtëson punën edhe mësimdhënësve” , tha Bytyqi.
Kryetari i Kaçanikut, Besim Ilazi, tha se është një ditë e veçantë për këtë komunitet, vënia e gurthemelit të kësaj shkolle dhe u shpreh falënderues për ministrinë.
“Jemi në një ditë të veçantë për komunitetin e fshatit Doganaj, që sot fal mbështetjes së Ministrisë së Arsimit dhe Ministrit, po e vejmë gurthemelim e një shkolle të re, e nevojshme shumë kohë më parë. Duke i falënderuar të gjithë ata që kontribuuan, shpresojmë dhe urojmë që kjo shkollë do të përfundojë siç e kemi planifikuar dhe kjo është një parakusht për ngritjen e cilësisë në vendin tonë, e veçanërisht në fshatin Doganaj”, tha Ilazi.
Drejtori i Shkollës “Ali Asllani, falënderoi të gjithë ata që ndihmuan në fillimin e punimeve të kësaj shkolle.
“Më lejoni që në emër të shkollës “Ali Asllani” të falënderoj të gjithë ata që ndihmuan më realizimin e kësaj ëndrre të kamotshme për lokalitetin tonë, ndërtimin e objektit të ri të shkollës fillore, në fshatin “Doganaj”. Jam i bindur që do të bëhen përmirësime në ofrimin e kushteve më të mira për nxënës dhe mësimdhënës” tha Selmanaj, raporton EO.
Deputeti i PDK-së, Elmi Reqica, tha se MAShT- i që nga viti 2008 ka investuar në infrastrukturën shkollore.
“Ky vend simbolizon rezistencën, qëndresën dhe atë çka është angazhim për liri dhe pavarësi. Ministria e Arsimit dhe qeveritë e Kosovës që një kohë të gjatë që nga viti 2008 kanë dhënë një komtribut të jashtëzakonshëm në infrastrukturën shkollore, por edhe më gjerë”, tha Reqica.