MAShT-i u premton studentëve të Biokimisë gatishmëri për zgjidhjen e çështjes së moduleve

Prishtinë | 09 Tet 2018 | 11:56 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

E plotësuar:

Valmir Gashi, këshilltar politik i ministrit Shqyri Bytyqi, tha se kërkesa për modulet shtesë ka qenë edhe më herët dhe që nga atëherë Ministria e Arsimit është duke punuar në këtë çështje.

“Kjo kërkesë ka qenë edhe më herët dhe qysh atëherë ne kemi filluar me u marrë me një gjë të tillë. Menjëherë kemi bërë një komision që ka qenë i përfshirë edhe Universiteti i Prishtinës dhe Ministria e Shëndetësisë. Fillimisht Universiteti i Prishtinës e ka stopuar procesin sepse ka kërkuar nëse vendimi i kryeministrit në vitin 2009 ka qenë i plotfuqishëm apo jo, ne kemi marrë një interpretim ligjor nga zyra jonë ligjore dhe kjo zyrë ka dhënë interpretimin që vendimi është i plotfuqishëm. Pas kësaj, ne si ministri kemi ftuar edhe dy takime të tjera dhe as Universiteti i Prishtinës dhe as Ministria e Shëndetësisë nuk kanë marrë pjesë në këto takime”, tha Gashi.

Gashi tha se MAShT-i është i gatshëm të ketë takime 3-palëshe në mes UP-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë për ta zgjidhur këtë problem.

“Ne jemi të gatshëm me e zgjedhë këtë çështje, do të vazhdojmë procesin dhe me siguri shumë shpejt do të ftohen në takim dhe do të vijnë”, tha ai.

Gashi tha se duhet në fillim të mbahet në takim për ta sqaruar këtë problem dhe më pas të caktohet ndihma buxhetore.

Studentët e Biokimisë kërkojnë nga MAShT-i kushte për organizim të moduleve shtesë

Studentët e Biokimisë kanë protestuar lidhur me moskrijimin e kushteve për organizim të moduleve shtesë nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në mënyrë që t’u realizohet licencimi nga Ministria e Shëndetësisë.

Përfaqësuesi i studentëve të Biokimisë, Hasim Avdijaj, i cili kishte diplomuar në vitin 2014, tha se diploma e tij nuk po njihet askund dhe për momentin janë të papunë, raporton Ekonomia Online.

“Sot kemi dalë në protestën e radhës që kemi pasur edhe të tjera, kërkesat tona janë krijimi kushteve prej Ministrisë së Arsimit për organizim të moduleve që i ka kërkuar Rektorati dhe Ministria e Shëndetësisë që sa kohë jemi duke u marrë me këtë problem dhe ende nuk ka ndonjë konfirmim zyrtar se çfarë ka ndodhur. Krejt çka dimë janë se janë krijuar disa grupe punuese mes Ministrisë së Shëndetësisë, Arsimit dhe Rektoratit. Tash që kemi ardhë këtu është përgjigjja e vetme e zyrtarëve të arsimit është se nuk po i vijnë në takim të Rektoratit dhe të Shëndetësisë, kur shkojnë në rektorat na thonë që ne nuk kemi nevojë me ardhë vetëm na ndani buxhetin sa ju nevojitet dhe bazën ligjore dhe e organizojmë modulet”, tha ai.

“Kemi bërë kërkesë për takim me ministrin dhe ende nuk na u ka përgjigjë që nga shkurti kur kemi protestuar nuk kemi marrë asnjë përgjigje konkrete”, tha ai.

“Modulet shërbejnë që ne të licencohemi nga Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria i kërkuar këto module shtesë dhe e kanë bartë këtë problem në Ministrinë e Arsimit që të bëhet buxhet, kërkesë ligjore dhe me i dërgu në rektorat”, tha Avdijaj.

Ministria e Shëndetësisë ka thënë që nuk ka buxhet. Le ta bëjnë Ministria e Arsimit buxhetin, bazë ligjore dhe me e dërgu në rektorat.

Sipas tij, mungesa e licencës po ua pamundëson punësimin në institucione shëndetësore, sepse ata janë të diplomuar por jo të licencuar.

“Ne do vazhdojmë këtë protestë derisa të dalë dikush nga MAShT-i dhe të na japë përgjigje. Janë diku 80 studenta. Ky problem është i ngritur që 10 vite”, shtoi ai.

Ramiz Kozhani, student, tha se Ministria e Shëndetësisë nuk po lejon marrjen e licencës pa modulet shtesë, raporton EO.

“Që 9 vite e kemi vendimin nga Qeveria e Kosovës, e votuar në parlament dhe nuk merret parasysh, kemi pasë takim me ministrin e Shëndetësisë na ka premtu që ka me u zgjidhë problemi, na ka dërgu në Ministrinë e Arsimit dhe kjo në Rektorat, askush nuk ka vullnet për me e kry punën më tutje”, tha Koshani.

“Ministria e Shëndetësisë nuk po na lejon me marrë licencë pa këto modulet shtesë”, tha ai.

“Ne jemi të gatshëm t’i marrim këto module shtesë edhe të kryejmë pagesë, për shkak të buxhetit dhe neglizhencës së ministrit të Arsimit asnjëherë nuk ka premtu takim përveç disa zyrtarëve që nuk janë adekuatë”, tha ai.

Ky grup i protestuesve thanë që pa licencë nuk mund të punësohen as në institucione private dhe as publike.

Të ngjashme