Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), përmes një komunikate për medie, ka shprehur shqetësimin lidhur me informatën jozyrtare që ka marrë këto ditë për zhvendosjen e nxënësve dhe stafit të Qendrës burimore “Xheladin Deda” në Pejë (qendër për arsim dhe këshillim për nxënësit e verbër dhe gjysmë të verbër) nga lokacioni aktual.
“Qendra burimore “Xheladin Deda” është në kompetencë të Ministrisë se Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, dhe Ministria do të trajtojë këtë çështje bashkë me palët e përfshira në këtë proces. MAShT do të gjejë zgjidhjen e duhur dhe në rend të parë do të merren parasysh specifikat e fëmijëve të verbër në mënyrë që ata të vazhdojnë edukimin dhe arsimin e tyre bazuar në nevojat që kanë”, thuhet në komunikatë.
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë përmes komunikatës ka siguruar prindërit dhe fëmijët se në bashkëpunim edhe me palët tjera, që do të sigurojë kushtet fizike dhe gjithçka që lidhet me pajisjet dhe shërbimet që duhet të ofrojë Qendra burimore. Ajo do të jetë funksionale dhe në shërbim të fëmijëve dhe prindërve të tyre, thuhet në komunikatë.