MAShT zgjodhi kryesinë e re të Këshillit të Prindërve

Prishtinë | 13 Pri 2018 | 11:01 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, në një takim të mbajtur sot ka zgjedhur kryesinë e re të Këshillit të Prindërve të Kosovës, të përbërë nga: Imret Reshiti- kryetar, Drita Vladi- nënkryetare, Drita Sadiku Zuqaku- sekretare dhe Burim Bruqaj- procesmbajtës.

Zëvendësministri i MAShT-it, Heset Sahiti, i uroi punë të mbarë Këshillit të Prindërve në këtë proces dhe tha se ky këshill është shumë i rëndësishëm për mbarëvajtjen në shkolla, raporton Ekonomia Online.

“Për këshill të prindërve ka vend shumë për të bërë në shkolla nga dukuritë që nuk po mundemi me i eliminu, sidomos mungesat e nxënësve dhe mësimit në përgjithësi dhe ndihma që këta mund t’u japin shkollave dhe klasave apo kujdestarëve të klasave, këshilli i prindërve të shkollave është shumë me rëndësi”, tha Sahiti.

Bajram Beqiri, ish-kryetar i Këshillit të Prindërve të Kosovës prej 8 vitesh tha se ky këshill qe po zgjidhet duhet të bëhet edhe më funksional që të kontribuon edhe më tutje në mbarëvajtjen e procesit mësimor dhe t’u dalë në ndihmë prindërve dhe nxënësve.

“Kemi bërë punë mjaft të frytshme, kemi punu mjaft duke u bazuar në ligje dhe procedura në përgjithësi për interesa të prindërve dhe nxënësve, kemi pasur sfida dhe përgjegjësi, por kemi dhënë kontribut të çmueshëm”, tha Beqiri.

Kryetari i ri i KPK-së, Imret Reshiti ka theksuar se gjatë punës së tij në këtë detyrë do të angazhohet maksimalisht që zëri i prindërve dhe nxënësve të jetë sa më i fuqishëm, ndërsa është zotuar se do të dërgojë përpara proceset të cilat i ka filluar Këshilli i mëhershëm.

Këshilli i Prindërve të Kosovës përbëhet nga 9 anëtarë, 7 përfaqësues të rajoneve të ndryshme të Kosovës dhe 2 përfaqësues të minoriteteve.

Ky këshill ka për qëllim që të përkrahë dhe ndihmojë mbarëvajtjen e procesit edukativo –arsimor në arsimin parauniversitar dhe është kanali kryesor i komunikimit shkollë-komunë-MAShT.

Të ngjashme