MAShTI shënon Ditën ndërkombëtare të personave me aftësi të kufizuar

Prishtinë | 03 Dhj 2022 | 11:53 | Nga Ekonomia Online

Me rastin e 3 Dhjetorit – Ditës ndërkombëtare të personave me aftësi të kufizuar, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, bashkë me përfaqësues të Hendikos, të premten ka qëndruar në një orë mësimore në shkollën “Qamil Batalli” në Prishtinë, ku mësuesja e klasës ishte duke e trajtuar temën e Aftësisë së Kufizuar.

Me vendimin e ministres Nagavci, në të gjitha shkollat e Kosovës, të premten ora e parë e mësimit i është kushtuar kësaj teme me qëllim vetëdijësimin e nxënësve mbi të drejtat e personave me aftësi të kufizuara.

Me këtë rast, ministrja Nagavci u shpreh e lumtur pasi që dëgjoi nga nxënësit se janë të gatshëm të ndihmojnë personat me aftësi të kufizuar kudo që i takojnë, pasi që tha se nxënësit tashmë e kanë kuptuar se sa e rëndësishme është kjo ndihmë dhe se personat me aftësi të kufizuar janë pjesë e shoqërisë sonë.

Qeveria e Kosovës e ka shpallë vitin 2022 Vit të Aftësisë së Kufizuar, ndërsa ndër veprimet që janë ndërmarrë është punësimi i 500 asistentëve për këta fëmijë deri në fund të vitit 2023, ndarja e buxhetit për Sintezën Vokale për personat e verbër, e cila mund të përdoret nga viti i ardhshëm, ndërsa është në proces të akreditimit programi për aftësimin e personave që njohin gjuhën e shenjave.

Të ngjashme