Matoshi & Co nuk janë elita intelektuale e Kosovës

Prishtinë | 25 Tet 2016 | 17:10 | Nga Donik Sallova

Nuk janë elita jonë intelektuale e kulturore (që po synon të bëhet edhe elitë politike) soji i Halil Matoshit, Nexhmedin Spahiut a ndonjë pa-kurrizori tjetër institutesh ekonomike, zyrash avokatie e portalesh dezinformative.

Themelet e idesë së Kosovës së pavarur, si shtet demokratik i kombit shqiptar, i kanë vënë intelektualët e një rangu tjetër, si Ibrahim Rugova, Fehmi Agani, Gazmend Zajmi, Idriz Ajeti, Jusuf Buxhovi, Rexhep Ismajli, Dervish Rozhaja, Mehmet Kraja, Mark Krasniqi, Sabri Hamiti, Ibrahim Berisha etj.

Këta dhe intelektualë e patriotë të tjerë shqiptarë, me refleksion të thellë në historinë tonë kombëtare dhe me dituri mbi zhvillimet gjeo-politike e ideologjike të kohës, vendosën që Çështjen e Kosovës, si pjesë të Çështjes së Pazgjidhur Shqiptare në Ballkan, ta parashtrojnë në formë të kërkesës për pavarësinë e Kosovës, si mënyra më pragmatike për ta ruajtur dhe mbrojtur qenien dhe identitetin shqiptar që po cënohej nga Serbia në Kosovë.

Kjo ishte platforma politike e kombëtare e atyre që e shpallën pavarësinë më 2 korrik 1990-të dhe hartuan Kushtetutën e Republikës së Kosovës më 7 shtator 1990. Mbi këtë platformë u inicua referendimi për pavarësi (1991) dhe Kosova u bë shtet i dytë shqiptar e demokratik në Ballkan.

Matoshi & Co. janë elita e Facebook-ut, aty ku sipas Umberto Eco-s u është dhënë e drejta e fjalës edhe budallenjve. Synimi i kësaj kompanie është që të bëhen edhe elita e tifozerisë sportive dhe kur t’iu ipet rasti, përmes ndonjë akti huliganesk, gjatë ndonjë ndeshjeje sportive të shpallin pavarësinë dhe armiqësinë ndaj Shqipërisë. Kaq mund të bëjnë Matoshi & Co.

Mund të bënin edhe më shumë po të kishin pushtet politik, por atë nuk e kanë arritur asnjëherë sa herë kanë kandiduar në zgjedhje, sepse votuesit thjesht nuk i kanë njohur. Nuk bëhesh elitë e kombit me një grusht poezish rakie, e as duke shkruar kolumne me kilogramë, e duke folë në emisione si analist për tema si “kombi kosovar”, “nata e shtrigave”, “strategjia futbollistiko-politike e përfaqësueses kosovare në futboll”, “ndikimi i serialeve turke në fantazinë e grave”, “stresi gjatë shtatzënisë”, “cilësia e tubave të kanalizimit në lagjen time”, “roli i mollave në luftimin e kancerit të zorrës së trashë”, “kurimi me barëra natyralë i hemorroideve” etj.

Natyrisht tema të tilla kanë rendësi të përgjithshme shoqërore, por rrokja e tyre është më shumë në dorë të specialistëve. Elitë intelektuale, kulturore e politike e kombit bëhesh kur gjeninë dhe veprën e vë në shërbim të interesave kombëtare, në këtë rast në interes të zgjidhjes së çështjes së pazgjidhur shqiptare në Ballkan.

Ka qenë gabim dhe është gabim që të merremi me Shoqatën e Komb-formimeve me Porosi “Matoshi & Co.”, sepse kjo i bën vërtetë ata të mendojnë se janë elita që do ketë fuqinë t’i imponojë një populli të tërë tjetërsimin kombëtar dhe formimin e kombit kosovar për shkak të komplekseve që ata kanë me vetën dhe anonimitetin e tyre thelbësor në historinë e re e të lavdishme kombëtare shqiptare të Kosovës.

Le t’i lëmë ata që në portalet e tyre të ndajnë hapsirën erotiko-propagandistike me Kim Kardashianin, Miley Cyrus, Amber Rose, Shkendije Mujaj, Bleona Qerretin etj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme