Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë, Fatmir Matoshi, ka thënë se Inspektorati i ministrisë, ka marrë të gjitha masat e nevojshme për ndërtimet pa leje në zonën e Brezovicës, raporton Ekonomia Online.
Rreth pyetjes parlamentare të deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zyba, lidhur me këtë çështje, ministri i Mjedisit, tha se vetëm në Komunën e Shtërpcës janë lëshuar 29 leje.
“Sipas evidencave gjatë 2018 nga Shtërpca janë lëshuar 29 leje. Inspektorati i Ministrisë për të gjitha shkeljet ligjore ka urdhëruar drejtorinë e Shtërpcës që të ndërmarrë masat e nevojshme për shkeljet. Pas saj Inspektorati i Ministrisë ka konstatuar se ajo nuk ka bërë asgjë në këtë aspekt. Inspektorati Ministrisë gjatë inspektimit të fundit ka parë që ka shkelje të tilla për çka edhe ka ndërmarrë masa”, pohoi Matoshi.
Ai shtoi se vërejtjet për shkeljet ligjore mbi ndërtimet pa leje u janë dhënë komunave përkatëse.
“Sa i përket parkut Brezovica ato janë në zonën e 3-të dhe ka marrë masa ndaj komunës. Komunës i është bërë me dije që ka bërë shkelje ligjore dhe ne po mundohemi të plotësohen të gjitha kushtet ligjore dhe të mos kemi ndonjë veprim të përshpejtuar që na kthen në pikën zero”, shtoi Matoshi.