Njohësi i çështjeve politike në Kosovë, Halil Matoshi ka vlerësuar se deklaratat rreth bashkimit Kosovë-Shqipëri bëhen vetëm për interesa politike dhe si të tilla janë tërësisht boshe.
Në një intervistë dhënë për Gazetën “Zëri”, Matoshi ka konsideruar se nuk duhet humbur kohë duke u marrë me të tilla deklarata.
Ndërkaq ka thënë se kombi kosovar, sikurse ai shqiptar, është krijuar me intervenimin e Perëndimit.
Pavarësisht kësaj, sipas Matoshit, Serbia i njeh si komb vetëm shqiptarët që jetojnë në Shqipëri, por jo edhe ata të Kosovës.
“Politika serbe i njeh si komb vetëm shqiptarët që jetojnë në Shqipëri, ndërkaq, shqiptarët e Kosovës i sheh si pakicë etnike”, ka deklaruar ai.
Tutje, Matoshi ka thënë se kombi kosovar e ka në pronësi të vet shtetin kosovar.
Ndërkohë, gjatë intervistës për “Zërin”, ai ka theksuar se tani Kosova përbën një komb të ri.
Zëri: Cili është identiteti i kosovarëve dhe a kanë ata pos trungut etnik dhe gjuhësor të përbashkët edhe histori të përbashkët me Shqipërinë?
Matoshi: Identitetet janë të shumëfishta dhe të shëndërrueshme. Amin Malouf, identitetin etnik e quan të ngurtë, vrastar. Mirëpo identiteti supra etnik kosovar mund të zbërthehet në një shumësi identitetesh, jo vetëm atë gjuhësor dhe historik. Ndër tjera kombi kosovar është krijuar me intervenimin e Perëndimit. Njëjtë sikur edhe kombi shqiptar.
Shumë faktorë autokton e kanë ndihmuar komb-krijimin në Kosovë – të tilla si përvoja paraprake demokratike, niveli i zhvillimit ekonomik, dhe homogjeni-teti social – mund të ndikojnë në lehtësinë apo vështirësinë e ndërtimit të kombit, por përcaktuesi më i rëndësishëm i kontrollueshëm duket të jetë niveli i përpjekjeve ndërkombëtare, matur në trupat, të hollat dhe kohën.
Nocioni “kosovar” si identitet subetnik është shumë më i pranueshëm edhe për pakicat etnike që t’i bashkohen kombit të vullnetit.