Maturanti padit ministrinë dhe kërkon pikët e testit

Prishtinë | 20 Dhj 2019 | 12:28 | Nga Ekonomia Online

Korrigjimi i testit të maturantit, Armando Gjocit krijoi mosmarrëveshjen e parë juridike mes institucionit arsimor dhe nxënësve.

Maturanti paditi Ministrinë e Arsimit dhe Agjencinë Kombëtare të Provimeve, pasi kërkonte ndryshim të rezultatit të provimit në lëndën Gjuhë Shqipe dhe Letërsi, në maturën shtetërore 2014. Gjatë gjykimit, Armando pretendonte se nuk ka marrë pikët që meritonte e në këtë mënyrë i ishte mohuar e drejta për të vazhduar studimet e larta në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës.

Ndaj, ai parashtronte idenë e rivlerësimit të testit, por jo nga i njëjti komision.

Top Channel ka siguruar vendimin e gjykatës administrative të shkallës së parë, ku i padituri, Agjencia e Provimeve argumentonte se të gjitha pyetjet me alternativa të 18-vjeçarit në atë kohë u vlerësuan saktë nga Komisioni. Ndërsa në pyetjet me zhvillim, përgjigja nuk është vlerësuar maksimalisht nga dy ekspertë të certifikuar dhe askush tjetër përveç vlerësuesve të përcaktuar nga AKP nuk mund të korrigjojë. Në të kundërt, rasti i Armando Gjocit do të cënonte pavarësinë e vlerësuesve, parashtron i padituri, e për më tepër do të krijonte precedent për të gjithë maturantët.

Procesi i maturës kështu nuk do të mbaronte asnjëherë, vijon më tej argumenti, si dhe ngre pikëpyetjen se cili do të ishte mekanizmi që do të vendoste se korrigjimi i bërë nga dy vlerësues të tjerë, do të ishte më objektiv se dy të parët?! Për këtë arsye, shton Agjencia e Provimeve, rregullorja e maturës nuk rivlerëson testet. Në bazë të provave të paraqitura, gjyqtarja Bernina Kondi vendosi rrëzimin e kërkesë padisë të maturantit, duke rezultuar në humbjen e një viti akademik për Armandon dhe mbrojtjen e idesë së provimet e maturës nuk mund të rivlerësohen. /TCh/

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme