Policia nuk mund t’ua heqë pikët shoferëve

Prishtinë | 26 Sht 2016 | 11:28 | Nga

Me hyrjen në fuqi të ligjit të ri për Rregullat e Trafikut Rrugor, është rregulluar edhe sistemi i evidentimit për heqjen e pikëve. Por, policia duket se nuk do të mund t’ua heqë asnjë pikë vozitësve që tejkalojnë shpejtësinë, edhe për një kohë.

Krejt kjo në mungesë të aktit nënligjor mes Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës me të cilët rregullohet zbatimi i vendimeve për heqjen e pikëve nga patentëshoferët e qytetarëve. Këtë e ka bërë të ditur për Gazetën Fjala edhe zyrtari i Policisë së Kosovës, Jeton Rexhepi, shkruan GazetaFjala.

”Policia e Kosovës e ka sistemin për evidentimin e rasteve të heqjes së pikëve, sikurse për rastet tjera që lidhen me trafikun. Por, tash e tutje ne e kemi sistemin e rregulluar, e që është një risi për këtë ligj dhe do të jetë i gatshëm. Por, mbetet që të rregullohet vetëm akti nënligjor mes Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës për mënyrën e evidentimit të këtyre rasteve”, thotë Rexhepi.

Heqja e pikëve parashihej edhe me me ligjin për siguri në komunikacion, por Gazeta Fjala pati raportuar se vetëm në një rast ishte zbatuar ai. Kjo për shkak se nuk kishin funksionuar si duhet mekanizmat e sistemit të përcjelljes për evidentimin e heqjes së pikëve, e që do të vazhdojnë ende.

Edhe Nol Dedaj, ekspert komunikacioni, thotë që ka pasur mungesë të infrastrukturës ligjore, por që ende nuk është në funksion.

”Eliminimi i patentëshoferit përmes pikëve ka qenë i përkufizim edhe në ligjin për siguri në komunikacion, por ka munguar infrastruktura ligjore përcjellëse për zbatimin e ligjit, të cilat institucione edhe sot nuk janë të formuara apo nuk janë në funksion”, sqaron Dedaj.

Dedaj shton se Ministria e Infrastrukturës duhet ta rishikoj ligjin në mënyrë që të eliminohen të gjitha nenet të cilat nuk kanë arsyeshmëri teknike.

”Ministria e Infrastrukturës duhet ta procesojë përsëri ligjin. Së pari ta tërhjek, e pastaj të krijon grupe punuese profesionale në mënyrë që të eleminohen të gjitha nenet e ligjit të cilat nuk kanë arsyeshmëri teknike për siguri në komunikacion. Kjo është zgjidhja, në të kundërtën vetëm do ta luaj rolin e vëzhguesit të neneve të cilat kanë gjetë zbatim apo nuk kanë gjetë zbatim në ligjin e cekur për ndryshim”, thotë Dedaj.

Ndërkaq, ligji i tanishëm parasheh që për tejkalimin e shpejtësisë në zonën urbane mbi 50 km/h, qytetarët e Kosovës, do të dënohen me 5 pikë të cilat do t’iu hiqen automatikisht nga patentëshoferi i tyre. E në rast se i njëjti vazhdon me shkelje të rregullave, numri i pikëve të hequra shtohet, e shkon deri tek aty, sa i ndalohet vozitja për dy vite radhazi.

E pas dy viteve, mund të përfundojë fare pa patentëshofer.

”Sa i përket heqjes e pikëve, ligji ka paraparë që minimumi te jetë një pikë dhe maksimumi të jetë pesë pikë. Kush e tejkalon shpejtësinë në zonën urbane mbi 50 km/h do të dënohet me pesë pikë. Shoferi i cili largohet nga vendi i aksidentit do të ndëshkohet me pesë pikë negative, çdo shofer që mbërrin në nëntë pikë, atij i ndalohet ndalimi i mjetit motorik deri në dy vjet”, sqarojnë në Policinë e Kosovës.

E nëse kuota prej nëntë pikëve arrihet sërish, qytetarit i anulohet patentëshoferi prej dy vitesh, me rifillim nga e para për marrjen e patentëshoferit. Edhe pse dënimet do të jena të papërballueshme, ato dalin të jenë më të vogla sipas zyrtarëve në krahasim me ligjin e vitit të kaluar.

”Gjobat kanë ngritje vetëm te shkaktarët e aksidenteve. Nëse kundërvajtësi e paguan gjobën brenda afatit ligjor, e paguan gjysmën e gjobës. Me ligjin paraprak për rripin e sigurisë ka paguar gjobë prej 35 euro, ndërsa me ligjin e ri, nëse e gjoba është 40 euro, nëse e paguan në afatin kohor prej tetë ditësh, atëherë do të jetë 20 euro”.

Mirëpo, jo vetëm në Kosovë do të jenë gjobat e larta me ligjin e ri.

Edhe shteti shqiptar ka rritur ndëshkimet për vozitësit. Vetëm për mos përdorimin e rripit të sigurisë në Shqipëri dhe pajisjeve fiksuese për fëmijët në moshën 12 vjeçare, dënimi thuhet të sillet nga 5 mijë deri në 15 mijë lekë.

Ndëshkime më të ashpra do t’i presin qytetarët që nuk janë të pajisur me leje. Nga 25 mijë deri në 100 mijë lekë, do të jenë dënimet për shkeljet e këtij rregulli në trafik.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme