Maxhuni pret që IPK-ja ta kryejë punën në rastin e rrahjes së drejtorit të Telekomit

Prishtinë | 16 Jan 2018 | 21:26 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Drejtori i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, ka shprehur besimin se Inspektorati i Policisë së Kosovës (IPK) do ta kryejë punën e vet në rastin ku janë të përfshirë dy eprorë policorë – rrahjen e drejtorit të Telekomit, Agron Mustafa.

Maxhuni konsideron se kredibiliteti dhe imazhi i Policisë së Kosovës vazhdon të jetë i vlerësuar në superlativ, si nga partnerët ndërkombëtarë ashtu dhe qytetarët.

Drejtori i Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës, Nazim Sahiti, dhe një polic tjetër, në video të publikuara në medie, janë parë duke e rrahur brutalisht në vend publik, Agron Mustafën.

Pavarësisht, video-incizimeve ku shihet qartë përfshirja e një eprori të PK-së, ai nuk është suspenduar.

“Çka duhet të bëjë një drejtor i policisë që të suspendohet, të vrasë?”, e ka pyetur një gazetare Shpend Maxhunin, në një konferencë të përbashkët me kryeministrin Ramush Haradinaj.

Vetë kryeministri Haradinaj tha se ka kërkuar nga drejtori i Policisë së Kosovës që të zbatohet ligji në këtë rast.

“Ditën e ngjarjes, kam zhvilluar një takim me drejtorin (Maxhun). Në atë takim, unë i kam kërkuar drejtorit që të zbatohet ligji, atë çka e thotë ligji. Por, me sa unë e di, janë disa procedura që ndodhin. Këtë ia kam kërkuar edhe ministrit të Punëve të Brendshme”, tha Haradinaj.

Ndërsa, drejtori i PK-së, Shpend Maxhuni, shprehu besimin se IPK-ja do ta kryejë punën e saj sipas autorizimeve.

“Policia e Kosovës, mbi kompetencat që i ka, kur dyshimet janë të ngritura se zyrtarët e saj janë të involvuara në incidente, e ka për obligim që të komunikojë me institucionin relevant, kompetent, që në këtë rast është Inspeksioni Policor i Kosovës; që siç është e përcaktuar me ligj të fillojë procedurën e nevojshme të karakterit hetimor”, tha Maxhuni.

“Edhe në këtë rast është vepruar njëjtë. Qysh nga dita e incidentit, ne kemi pasur komunikim me IPK-në. Dhe unë jam i prirur të besoj që IPK-ja, se autoritet, do të kryejë punën e vet mbi bazën e autorizimeve ligjore me të cilat është i ngarkuar”.

Por, ai theksoi se veprimet duhet të ndërmerren çdoherë mbi bazën e fakteve dhe argumenteve që ata i gjejnë për individ të cilët supozohet se kanë qenë të përfshirë në incident.

Maxhuni shtoi se IPK-ja, në koordinim me Prokurorinë e Shtetit, është duke e trajtuar këtë rast. “Dhe ne presim epilogun nga këto dy institucione”.

Maxhuni beson se kredibiliteti dhe imazhi i Policisë së Kosovës vazhdon të jetë i vlerësuar si çdoherë në superlativ, sidomos nga qytetarët e Kosovës. Kjo, sipas tij, është dëshmuar edhe nëpërmes anketimeve të ndryshme që janë bërë.

Të ngjashme