Kryeministrja britanike, Theresa May, u mundua të hënën të nxjerrë koncesione nga Bashkimi Evropian në përpjekjen e minutës së fundit për ta shmangur një tjetër disfatë turpëruese në Parlament rreth marrëveshjes së saj të daljes nga blloku.
Meqë kanë mbetur ende edhe 18 ditë para daljes së paraparë të Britanisë së Madhe nga BE-ja më 29 mars, Londra ende nuk e ka miratuar marrëveshjen e divorcit teksa negociatat me bllokun kanë ngecur gjatë fundjavës, duke ia pamundësuar Mayit kapërcimin e bllokadës politike në vend, raporton Reuters.
Në ditën e diplomacisë intensive në prag të votimit të marrëveshjes së saj në Parlament të martën, May zhvilloi bisedime me kryetarin e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, në përpjekje për të dalë nga qorrsokaku i Brexitit.
“Negociatat po vazhdojnë. Kryeministrja May po udhëton në Strasburg për ta finalizuar marrëveshjen, në rast se një gjë e tillë është e mundur”, ka thënë ministri i Jashtëm irlandez, Simon Coveney.
Zëdhënësi i May tha se votimi parlamentar për ujdinë e saj do të mbahet, ani pse bisedimet me BE-në janë bllokuar. Zyrtarët evropianë janë shprehur të zemëruar nga përpjekjet e Mayit për të siguruar konsesione, teksa faza finale e Brexitit po afron.