Mentor Mazrekaj mund të kthehet te FC Prishtina. Lajmin për Sport News e ka konfirmuar edhe nënkryetari i bardhekaltërve, Afrim Muqiqi i cili ka deklaruar se te Prishtina dyert janë të hapura jo vetëm për Mazrekajn por për të gjithë ish futbollistët e Prishtinës.
Muqiqi ka shtuar se marrëdhëniet shumë të mira me Partizanin e Tiranës mund të ndikojnë që mesfushori të rikthehet në skuadrën ku bëri emër.
Mesfushori 28-vjeçar viteve të fundit ka pasur probleme me lëndime dhe nuk ka qenë gjithnjë titullar te Partizani i Tiranës. Mazrekaj është pjesë e skuadrës tiranase që nga viti 2013 me të cilët ka 81 paraqitje dhe 12 gola. Fantazisti i lindur në Prishtinës është produkt i shkollës së Prishtinës duke i kaluar të gjitha grupmoshat e saj.
Në ekipin e parë të Prishtinës “Menqa” siç e quajnë ndryshe kishte luajtur nga viti 2008 deri më 2013 kur ishte transferuar në skuadrën nga kryeqyteti shqiptar. FC Prishtina që sivjet luajti në kualifikimet e rrethit të parë në Europa League duke humbur të dy ndeshjet nga Norshoping, në edicionin e ri pritet të jetë njëra ndër kandidatet serioze në luftë për titull.
Pas Përparim Osmanit, Diar Miftarajt, Liridon Fetahaj dhe Ergyn Ahmeti, Mazrekaj mund të jetë përforcimi më I madh te Prishtina me të cilin shanset për titull do të ishin shumë më të mëdha.