Komuna e Drenasit ka mbajtur takimin publik, dëgjimin buxhetor me qytetarë për të diskutuar Kornizën Afatmesme Buxhetore lidhur me projektet prioritare për periudhën 2020-2022.
Dëgjimi publik lidhur me KAB-in është mbajtur në Sallën e Kuvendit, ku është udhëhequr nga udhëheqësi i Zyrës për Komunikim me Publikun, Bekim Dobra i cili ka përshëndetur të pranishmit dhe ka treguar rëndësinë e takimit.
Të pranishmit i ka përshëndetur kryetari Lladrovci i cili ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin e treguar dhe ka treguar për rëndësinë e këtyre takimeve. “Diskutimi për buxhet është i një rëndësie të veçantë, sepse merren imputet direkt nga qytetarët për kërkesat e tyre. Komuna për vitet në vazhdim ka planifikuar një buxhet me rritje për të përmirësuar jetën e qytetarëve. Ju jeni ne dijeni, që për këtë vit kemi pasur të planifikuar 4.5 milion buxhetin për investime kapitale, por e kemi rritur përmes granave të fituara, si atë të performancës komunale, të transparencës e për një mjedis të pastër mbi 5.2 milion, ashtu do të punojmë edhe për vitet në vazhdim që të rriten mjetet për projekte”, ka thënë kryetari Lladrovci.
Drejtori për Buxhet e Financa, Shyqiri Bublaku ka paraqitur informatën se si është planifikuar buxheti për vitet në vazhdim (2020-2022), kurse Drejtori i Infrastrukturës Lokale, Idriz Hysenaj ka treguar për projekt-listën e investimeve kapitale.
Të pranishmit gjatë debatit për projeksionet buxhetore për vitet 2020-2022, kanë paraqitur kërkesat e tyre për investime kapitale në infrastrukturë, ku kryesisht kërkesat ishin të fokusuara në projekte që kanë të bëjnë me rregullimin e infrastrukturës; kanalizim, asfaltim të rrugëve në lagje, ndërtim të trotuareve, ndriçim dhe projekte të tjera.
Buxheti i përgjithshëm i Komunës për vitin 2020 është 16,490,342.00 euro, ndërsa nga kjo shumë për investime kapitale janë planifikuar mbi 5,420,459.00. Nëse e bëjmë një krahasim me vitin aktual, buxheti për vitin 2020 do të këtë një rritje prej 8.69 për qind.
Nga aspekti ekonomik i shpenzimeve do të këtë 5 kategori kryesore të shpenzimeve, ndërsa në aspektin funksional në 20 programe-nënprograme.
Ky është dëgjimi i parë me qytetarë, ndërsa që nga muaji maj i këtij viti është bërë thirrja publike për të kontribuar në Kornizën Afatmesme Buxhetore, ku është diskutuar edhe në Komitetin për Politikë e Financa si dhe me datën 27.06.2019 do të diskutohet edhe në mbledhjen e Kuvendit.
Pas kalimit të këtyre fazave të planifikimit, në muajin korrik dhe gusht do të mbahen dëgjime buxhetore në lokalitetet e Komunës së Drenasit për t’u përgatitur lista finale e projekteve për investime kapitale dhe kategorive tjera të buxhetit për vitin 2020.