Sot është mbajtur mbledhje komemorative në nderim të jetës dhe veprës së arkitektit të Komunës së Vushtrrisë, Ahmet Shuku.
Kontributi që Ahmet Shuku ka dhënë si arkitekt në Komunën e Vushtrrisë, u vlerësua lart nga të pranishmit në këtë mbledhje komemorative.
Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, nën patronazhin e të cilit u organizua mbledhja komemorative, në fjalën e tij tha se Ahmet Shuku ishte një punëtor i dalluar që me përkushtim të madh shërbeu në të mirë të qytetit.
“Ahmet Shuku ishte më shumë se një arkitekt, ishte një vizionar i vërtetë që shfaqte një përkushtim të palëkundur në çdo projekt që merrte përsipër. Kontributi i tij dhënë për qytetin dhe Komunën e Vushtrrisë, do të bëjë që emri i tij të kujtohet gjithmonë me krenari”, tha kryetari Idrizi.
Ahmeti Shuku u lind më 18.07.1960 në Vushtrri, studimet universitare i vijoi në Universitetin e Prishtinës, në fakultetin e Arkitekturës, ku mori titullin Inxhinier i diplomuar i arkitekturës.
Nga viti 2001 ka shërbyer si inxhinier i arkitekturës fillimisht në Drejtorinë për Shërbime Publike, ndërsa nga viti 2005 kaloi në Drejtorinë për Urbanizëm si ushtrues detyre i Drejtorit të kësaj drejtorie. Më pas për të vazhduar ta kryej detyrën e Udhëheqësit të sektorit të Urbanizmit, ku dha kontribut të rëndësishëm në planifikimin dhe zhvillimin urban të qytetit.
Ai la pas vetës gruan, djalin, vajzën dhe dy mbesa.