Mbahet takimi për monitorimin e zbatimit të MSA-së

Prishtinë | 27 Jan 2017 | 15:07 | Nga

Nën organizimin e Ministrisë së Financave është mbajtur sot takimi i parë i Ekipit Koordinues për monitorimin e zbatimit të Programit Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes Stabilizim Asociimit (PKZMSA) 2017, i cili është themeluar me vendimin e ministrit të Financave, Avdullah Hoti, më 24 janar 2017.

Në bazë të vendimit të Qeverisë për inicimin e programit të PKZMSA-së, Ministria e Financave është institucioni përgjegjës për 9 kapituj të PKZMSA-së.

Ministri i Financave Avdullah Hoti kërkoi angazhim maksimal nga të gjitha institucionet relevante në zbatimin e masave të përcaktuara në 9 kapituj përkatës të PKZMSA-së.

“Rëndësia e zbatimit të këtij Programi qëndron në faktin se adreson zbatimin e obligimeve të dala nga Marrëveshja e parë Kontraktuale e Kosovës me BE-në – Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA)”, shtoi Ministri Hoti.

Ai gjithashtu kërkoi që me rastin e takimeve të nën-komiteteve të Stabilizim Asociimit, Institucionet relevante të rrisin nivelin e bashkëpunimit ndër institucional në mënyrë që t’i paraqesin sa më mirë të arriturat dhe sfidat në fushën e zbatimit të MSA-së.

Sipas ministrit Hoti ky përkushtim duhet të jetë i vazhdueshëm edhe pas takimeve të nën komiteteve me qëllim që konkluzionet e dala nga këto takime të adresohen.

Ai gjithashtu bëri të ditur se ekipi teknik do të jetë aktiv në përgatitjen e analizave dhe raporteve të zbatimit të PKZMSA-së, në mënyrë që sfidat e identifikuara të paraqiten në ekipin koordinues, i cili do të marrë vendime për masa konkrete për tejkalimin e ngecjeve të identifikuara.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme