Zv.ministrja e Brendshme Rovena Voda zhvilloi një takim me drejtuesit vendorë të Policisë së Gjirokastrës.
Zv.ministrja gjatë fjalës së saj u ndal në disa nga prioritetet e Ministrisë së Brendshme.
Ajo vlerësoi përfundimin e fazës së parë të procesit të Vettingut duke deklaruar se ai u zhvillua pikërisht në kohën e duhur.
“Është e vërtetë që Qeveria shqiptare ndërmori reformën e madhe, atë në drejtësi, që lidhet në fakt me dy organe të pavarura, por të lidhura me punën e Policisë. Policia e Shtetit është në vijën e parë, është ajo që ndeshet e para me krimin. Kështu që detyrimisht ka lidhje patjetër me Prokurorinë, edhe me Gjykatën”, theksoi Voda.
Voda u ndal edhe në luftën ndaj krimit të organizuar dhe operacionin “Forca e ligjit” duke e konsideruar si prioritetin kryesor.
Lufta ndaj kultivimit të lëndëve narkotike ishte një tjetër pikë e rëndësishme e diskutuar. Voda vlerësoi se 2017 ka qenë viti ku pati një ulje drastike të kultivimit.
“Në bazë të të gjitha kontrolleve të territorit që keni organizuar, e rëndësishme është që të ndihet prezenca e policisë në territor. Pra mesazhi është shumë i qartë”, tha Voda.
Gjatë takimit u trajtuan edhe problematikat që lidhen me menaxhimin e kufirit.
“Po punojmë për një projekt, për mbështetje logjistike për luftën kundër krimit të organizuar dhe një nga shtyllat kryesore është edhe kontrolli kufitar”, u shpreh Voda.