Komuna e Prizrenit ende nuk e ka shpallur ankandin publik për dhënien në shfrytëzim me qira të mbi 40 lokaleve, që janë prona të saj.
Sipas zyrtarëve të pushtetit lokal, vendimmarrja për këtë çështje ka marrë dritën e gjelbër edhe nga niveli qendror, por se mbetet që të kompletohen të dhënat për lokalet në fjalë dhe që Komisioni për pronë i Kuvendit të Komunës të caktojë çmimet fillestare për metër katror për secilin lokal, shkruan sot “Koha Ditore”.
Udhëheqësi i Sektorit të Prokurimit në Komunën e Prizrenit, Isa Osmankaj, ka bërë të ditur se vendimi i KK-së për këtë çështje është në fuqi dhe se mbetet që Sektori dhe Komisioni i Pronës në nivel lokal t’i plotësojë disa të dhëna rreth këtyre lokaleve para shpalljes së ankandit.
Anëtarët e KK-së së Prizrenit në seancën e mbajtur më 31 korrik 2018 kanë miratuar vendimin për shpalljen e ankandit publik për dhënien në shfrytëzim me qira të mbi 40 lokaleve që janë pronë komunale. Në vendim shkruan se këto lokale do të jepen në shfrytëzim në afat prej 4 vjetësh .
Ky vendim i KK-së ka marrë konfirmimin e ligjshmërisë nga MAPL-i në muajin gusht.