Më tepër se 1000 tifozë të futbollit kanë brohoritur dhe përqafuar njëri-tjetrin ndërsa kanë përcjellë një ndeshje të elitës së futbollit të Bjellorusisë, përkundër thirrjeve nga një numër i madh i tifozëve për të bojkotuar ndeshjet shkaku i pandemisë së koronavirusit, shkruan agjencia Reuters.
Bjellorusia është ende shteti i vetëm në Evropë ku liga nacionale në futboll po vazhdon, duke e bërë kështu ligën atraktive edhe për tifozë të huaj.
Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko ka vendosur të mos aplikojë masa strikte kufizuese për të parandaluar përhapjen e virusit, duke thënë se do ta luftojnë pandeminë duke pirë vodka dhe duke ngasur traktorë.
Shumë tifozë kanë vendosur të bojkotojnë ndeshjet, por më tepër se 1000 ishin prezent në përballjen mes FC Dynamo Brest dhe Isloch Minsk, një nga tri ndeshjet në Vysshaya Liga të dielën. Vetëm një numër i vogël i tifozëve kishte maska.
Kampioni në fuqi Dynamo Brest fitoi 3:1 për t’u ngritur në vendin e tretë në renditje pas katër ndeshjeve.
Klubi më herët nisi një iniciativë duke vendosur manekinë me fotografi të tifozëve në tribuna.
Bjellorusia aktualisht ka 2919 raste të raportuara me COVID-19 dhe 29 të vdekur.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) i ka bërë thirrje autoriteteve bjelloruse të vendosin masa strikte për të parandaluar përhapjen e virusit.
Lukashenko ka hedhur poshtë frikën rreth virusit duke thënë se është me rëndësi të vazhdohet me ekonominë.