Gjiganti metalurgjik “Trepça” vazhdon të përballet me vështirësi të mëdha të funksionimit edhe pas gati një viti e gjysmë nga miratimi i Ligjit për “Trepçën” në Kuvendin e Kosovës.
Në tetorin e vitit 2016 deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan ligjin, i cili pati hasur në kundërshtim të fuqishëm të shtetit të Serbisë dhe të vet menaxhmentit dhe punëtorëve të “Trepçës” në pjesën veriore, por në vend që t’i shkohet deri në fund në mënyrë që ligji të jetësohet, Qeveria e kaluar që udhëhiqej nga Isa Mustafa nuk ndërmori asnjë hap për t’i formuar dy bordet, pa të cilat ligji nuk mund të zbatohet, shkruan sot Gazeta ‘Zeri’.
Në këtë mënyrë e gjitha barra për formimin e Bordit Mbikëqyrës, i cili duhej të përbëhej nga njerëz të politikës, si dhe ai Menaxhues, i cili do të duhej të përbëhej nga profesionistë të fushës i mbeti Qeverisë së kryeministrit Ramush Haradinajt. Ky me ta marrë drejtimin e Qeverisë pati autorizuar tri ministritë që të punojnë dhe të koordinohen për ta funksionalizuar Ligjin për “Trepçën”, por deri më tani asnjëra prej këtyre ministrive (MZHE-ja, MF-ja dhe MPMS-ja) nuk kanë bërë asgjë që situata të ndryshojmë, shkruan Zeri.
Tmava: Qeveritë janë vonuar për t’i formuar bordet
Drejtori i “Trepçës”, Ahmet Tmava, vazhdimisht ka potencuar se qeveritë janë vonuar për t’i formuar bordet dhe kjo ka bërë që situata në “Trepçë” të jetë e rëndë. Ai ka potencuar se “Trepça” ndodhet në gjendje të vështirë financiare, se janë mbledhur shumë borxhe të cilat nuk janë paguar, si dhe ka sqaruar se “Trepça” është “duke jetuar” sot për nesër. Ai pohon gjithashtu se kombinati ka mbetur as me AKP-në e as me Qeverinë e Kosovës dhe se “Trepça” përballet me problemin thelbësor të funksionimit, çka ka bërë që të bjerë edhe prodhimi për rreth 30 për qind.