Mbi 33 milionë njerëz në izolim total, 28 të vdekur dhe qindra të infektuar

Prishtinë | 24 Jan 2020 | 17:16 | Nga Ekonomia Online

Kina ka zgjeruar sot masat e jashtëzakonshme të izolimit, ku rreth 33 milionë banorë janë futur në karantinë, duke tentuar të parandalojnë zgjerimin e virusit vdekjeprurës nga i cili deri më tani kanë humbur jetën 28 persona e qindra tjerë janë infektuar.

Bllokada për hyrje e dalje deri më tani janë aplikuar në të paktën dhjetë qytete në pjesën qendrore të Kinës, e në Wuhan ku u shfaq coronavirusi dhe nëntë qytete tjera, autoritetet i kanë futur në karantinë, transmeton Telegrafi.

Autoritet kineze kanë filluar sot ndërtimin e një spitali në Wuhan ku do të trajtohen pacientët e infektuar me virusin e ri, kurse në të do te vendosën njëmijë shtretër. Përfundimi i ndërtimit është paralajmëruar të ndodh më 3 shkurt.

Bllokada dhe izolimi i qyteteve ka filluar dje, fillimisht në Wuhan ku rrugët zakonisht janë të mbushura me qytetarë, kurse qendrat tregtare dhe restorantet dje ishin pothuajse të zbrazëta. Bartja e maskave në hapësirat publike është obligim.

E bllokimi i qyteteve tjera ka filluar sot, kurse masat preventive janë shtuar në mbarë Kinë. Në Pekin janë anuluar të gjitha ngjarjet e parapara të mbahen me qëllim që të ketë sa më pak njerëz nëpër rrugë, ku bartja e virusit nga një person të tjetri janë të mëdha.

Numri i të infektuarve me coronavirus është rritur në 830, ka bërë të ditur sot komisioni shtetëror për shëndetësi në Kinë. Shumica e të infektuarve jetojnë ose kanë jetuar në Wuhan, ose kanë ndonjë lidhje me atë qytet.

Rastet e infektimit me coronavirus janë regjistruar edhe jashtë Kine – në Hong Kong, Makau, Tajvan, Tajlandë, Singaporo, Vietnam, SHBA, Japoni, Kore te Jugut, por shumica prej tyre ose janë nga Wuhani ose kanë ardhur së fundmi në këto vende nga ky qytet.

Sot janë konfirmuar edhe rastet e para të vdekjeve jashtë Wuhanit. Një 80-vjeçar ka vdekur në provincën Hubei pasi ishte kthyer nga Wuhani, derisa provinca Heilogdian në verilindje të Kinës ka njoftuar se një person ka vdekur nga ky virus. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme