Mbi 50 kërkesa në ditë për rezonancë magnetike në Radiologji

Prishtinë | 04 Jan 2024 | 14:51 | Nga Ekonomia Online

Rreth 150 mijë pacientë kanë kryer ekzaminime në Klinikën e Radiologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), deri në nëntor të vitit 2023. Mbi 10 mijë persona i janë nënshtruar Rezonancës Magnetike (MRI), derisa janë kryer mbi 18 mijë Tomografi të Kompjuterizuara (CT). Ndërkaq, kjo klinikë merr rreth 50 kërkesa brenda ditës për MRI.

Drejtoresha e Klinikës së Radiologjisë, Shkëndije Nuza në një intervistë për KP, tha se ndër kërkesat më të mëdha për ekzaminime, janë tek rezonanca magnetike. Ajo shtoi se për të bërë një CT, maksimumi i pritjes është pesë deri në shtatë ditë.

“Klinika e Radiologjisë ka gamë të madhe të shërbimeve që ofron, duke filluar nga rëntgeni deri tek biopsitë dhe ekzaminimet tjera shtesë. Sipas statistikave në vitin 2022, kemi pasur diku 151 mijë 536 pacientë…Deri më tani i kemi 141 mijë 898 pacientë, ndërsa kërkesat më të mëdha për ekzaminime janë tek rezonanca magnetike… Në vitin 2022, në rezonancë magnetike, janë kryer gjithsej 9 mijë e 683 mijë pacientë, ndërsa vetëm për 11 muaj të vitit 2023, i kemi 10 mijë e 349 pacientë… Sa i përket CT ekzaminime, në vitin 2022, kemi pasur gjithsej 23 mijë e 751, ndërsa vetëm për nëntë muaj (2023), i kemi pothuajse 18 mijë ekzaminime… Sa i përket CT, unë mendoj që nuk është ndonjë listë e pritjes, nëse një pacientë do të pret 5-7 ditë maksimumi, unë nuk e quaj listë të pritjes, për arsye se ende që krejt Kosova ka qytete të mëdha që janë të pajisur me CT aparate, do të duhej të kryhej ende kryejmë pacientë të të gjitha komunave… Sa i përket rezonancës magnetike pritja është pak më e gjatë…çdo ditë kemi diku 40-50 kërkesa për rezonanca magnetike”, tha Nuza.

Ndërkaq, sa i përket bërjes së biopsisë, Nuza tha se në nëntë mujorin e parë të vitit 2023, janë kryer rreth 900 ekzaminime. Ajo shtoi se Klinika e Radiologjisë, posedon tri rezonanca magnetike, derisa shtoi se njëra nga to ka mbi 15 vite që punon, për çka shpreson se do të zëvendësohet me një aparat të ri.

Të ngjashme