Mbi 50 të vdekur nga përleshjet e bandave në një burg në Brazil

Prishtinë | 30 Kor 2019 | 08:51 | Nga Ekonomia Online

Së paku 57 njerëz u vranë në një burg në Brazil, si pasojë e përleshjeve midis bandave rivale për më shumë se pesë orë.

Zyrtarët thanë se anëtarët e bandës së një blloku të burgut Altamira në shtetin Para sulmuan të burgosurit në pjesën tjetër.

Gjashtëmbëdhjetë të vdekur u gjetën me koka të prera, ndërsa të tjerët u ngufatën, pasi një pjesë e burgut u përfshi nga zjarri, thanë zyrtarët në një konferencë për media.

Dy zyrtarë të burgut që u morën peng, u liruan.

Burgu në Altamira, ku shpërtheu dhuna, ka kapacitet për 200 të burgosur, por atje ndodheshin 309.

Zyrtarët, megjithatë, mohuan se objekti ishte i mbipopulluar.

Ministria e Drejtësisë tha se drejtuesit e bandave do të transferohen në njësi më të sigurta në burgje federale.

Dhuna në burgjet braziliane nuk është e pazakontë. Ky vend ka rreth 700,000 njerëz të burgosur.

Në maj, 40 njerëz u vranë brenda një dite në katër burgje të ndryshme në Manaus të shtetit të Amazonas.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme