Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka shqiptuar mbi 59 mijë euro gjoba ndaj subjekteve politike, vetëm gjatë raundit të dytë të zgjedhjeve lokale të balotazhit që u mbajtën të dielën.
E prej tyre, mbi 13 mijë euro gjobë janë shqiptuar për shkak të thyerjes së heshtjes në ditën e zgjedhjeve dhe thyerje të heshtjes zgjedhore në ditën e votimit.
Kështu ka bërë të ditur për Gazetën Online Reporteri.net, kryesuesi i sekretariatit të PZAP-së, Mulë Desku.
“PZAP-i për zgjedhjet lokale të 17 tetorit 2021, ka shqiptuar gjoba ndaj subjekteve politike në shumë prej gjithsej: 59,250.00 euro. Në këtë shumë të gjobave është e përfshirë shuma prej 13,500.00 euro, për thyerje të heshtjes zgjedhore në ditën e heshtjes zgjedhore te shtunën me 13.11.2021 dhe për thyerje të heshtjes zgjedhore në ditën e votimit për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të komunave të mbajtura me 14 nëntor 2021”, tha Desku.
Sipas të dhënave të PZAP-së, subjekti politik që është gjobitur më së shumti është Lëvizja Vetëvendosje, e ndjekur pas nga PDK-ja e LDK-ja.
Desku ka theksuar për Reporteri.net se LVV-ja në raundin e dytë të zgjedhjeve ka marrë gjobë mbi 16 mijë euro.
“Lidhja Demokratike e Kosovës 15,000.00 euro, Lëvizja Vetëvendosje 16,400.00 euro, Partia Demokratike e Kosovës 15,800.00 euro, Srpska Lista 8,100.00 euro, Partia Liberale Egjiptiane – PLE 300.00 euro, Iniciativa Qytetare për Obiliqin 1,250.00 euro, Lista e Pavarur-Bekim Jashari 1,800.00 euro, Organizata Balli Kombëtar Demokrat-OBKD 300.00 euro, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 300.00 euro”, tha Desku.
Ndryshe, në zgjedhjet e 14 nëntorit, PDK-ja dhe LDK-ja kanë fituar nga 8 komuna, AAK-ja 5 komuna dhe VV-ja doli e katërta me 4 komuna.