Bazuar në të dhënat e fundit, në Kosovë rreth 80.2% e grave janë joaktive në tregun e punës. Duke qenë jashtë punës, jo vetëm që pengohet zhvillimi ekonomik i përgjithshëm në vend, por kjo dëmton edhe pozitën e përgjithshme të gruas në shoqëri.
Kështu ka dalë nga një hulumtim i kryer nga Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) rreth “Joaktivitetit të grave në tregun e punës: Faktorët që mbajnë gratë jashtë tregut të punës”, raporton Ekonomia Online.
Shpend Emini, drejtor Ekzekutiv i D4D-së tha se ky hulumtim jep dritë mbi arsyet se pse 80.2% e grave në Kosovë nuk kërkojnë punë. Për që këto gra të kërkojnë punë ato duhet të fuqizohen dhe të krijohen parakushte për një treg të barabartë për të gjithë.
Sipas hulumtimit, rezulton se 51.8% e grave të papunësuara janë deklaruar se nuk janë aktive në forcën e punës për shkak të detyrimeve familjare kujdesi për fëmijët dhe kujdesi për të moshuarit.
Në përgjithësi, pjesëmarrja e ulët e grave në fuqinë punëtore së bashku me normat e larta të papunësisë konsiderohen si arsyet kryesore përse gratë nuk janë aktive në fuqinë punëtore në Kosovë.
Ministri për Inovacion dhe Ndërmarrësi, Besim Beqaj, theksoi rëndësinë e adresimit të jo-aktivitetit në nivel institucional sepse një potencial i madh i fuqisë punëtore nuk shfrytëzohet për zhvillim të mëtutjeshëm ekonomik. “Fondi për Inovacion i Ministrisë do të ketë një përqindje të konsiderueshme që do t’iu takojë grave, në mënyrë që grave të iu jepen mundësi më të mëdha”.
“Konkurrenca në treg nuk lejon të ketë barazi. 12.7% e grave në Kosovë punojnë. Ne kemi nevojë për angazhim e i cili nuk vjen vetvetiu. Kjo çështje është edhe e kulturës së shoqërisë dhe guximit që t’ia jep meritën e duhur sepse meritë ë grave është edukimi i vajzave djemve”, ka thënë Beqaj.
Beqaj po ashtu ka treguar që ministria e tij ka për qëllim integrimin e të rinjve në punë. Ai po ashtu ka thënë se zhvillimi i teknologjisë sjell zhvillim ekonomik.
“Resurset minerale nuk janë indikatori i vetëm për rritjen ekonomikë po është dija dhe shfrytëzimi i teknologjisë për sjellje në ekonomi”.
“Studentët tanë nuk kanë fuqi konkurrente në tregun e punës. Njerëzit e kualifikuar janë ata që marrin diploma dhe e kanë dijen për me punuar”, ka thënë Beqaj.
Linda Abazi-Morina ka treguar shpalosur rezultatet e hulumtimit të bërë nga D4D. Ajo ka thënë se raporti shërben si udhërrëfyes për politik-bërësit, pasi sipas saj, mund të përdoret për punësimin e grave.
Fitore Ajeti-Zhushi, nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, tha se çështja e grave në tregun e punës është shumë e rëndësishme, prandaj edhe duhet kushtuar rëndësi, raporton EO.
“Punësimi i grave sjell emancipimin e tyre në tregun e punës punësimi i tyre është ende shumë i ultë. Miratimi i ligjit për barazi gjinore u ka mundësuar grave të jenë prezentë. Situata në sektorin privat është problematike. Situata nuk është e pashpresë jam optimiste. Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka për qëllim punësimin e grave në sektorin privat. Për një kohë të shkurtër, ministri Lluka është i angazhuar që gratë të jenë prezentë në bordet në sektorin publik. Gratë duhet të kenë shkollat e nevojshme dhe që të jenë prezentë në tregun e punës”, ka thënë këshilltarja e ministrit Lluka.
Gjate diskutimit te zhvilluar, u cek rëndësia se Institucionet e Kosovës gjatë ndarjes buxhetore duhet të marrin për bazë perspektivën gjinore në momentin kur investojnë. Të shohin nëse ajo ndarje buxhetore do të ndihmonte fuqizimin dhe pjesëmarrjen e grave. Gjithashtu rëndësia e eliminimit te barrierave që gratë i kanë për qasje në tregun e punës, në mënyrë që të jenë të barabarta në tregun e punës. Por çka gjithmonë harrohet është që gratë në Kosovë kalojnë 4 herë më pak kohë në punë të paguar, ndërsa 3 herë më shumë në punë të papaguar – do të thotë në punë të shtëpisë.
Ky hulumtim ka treguar se arsyet sociale dhe shoqëror me rolet e përcaktuara gjinore janë arsyet kryesore për jo aktivizimin e grave në treg të punës. Shumica e të anketuarave mendojnë se shkak kryesor i jo aktivizimit të grave në tregun e punës është mentaliteti patriarkal në shoqërinë tonë. Kjo sepse gratë konsiderohen se duhet të përkujdesen ndaj fëmijëve dhe të moshuarve. Riaftësimi i grave që nuk janë aktive për një kohë të gjate kërkon trajnime dhe aftësime adekuate sipas kërkesave të tregut të punës. 76.2 % e grave nuk ju është ofruar asnjë lloj trajnimi për aktivizim në tregun e punës, tek 11.9% e grave trajnimet nuk kanë pasur asnjë ndikim, ndërsa tek 11.9% e grave si shkak i trajnimeve kanë gjetur punë.