Më shumë se 800 zjarre pyjore vazhdojnë të jenë aktive në mbarë Kanadanë, ndërsa tymi i dendur ka shkaktuar përkeqësim të ndjeshëm të cilësisë së ajrit edhe në disa shtete të SHBA-së.
Sipas Indeksit Amerikan të Cilësisë së Ajrit (AQI), në pjesë të mëdha të veriut të ShBA-së, përfshirë zonat e Miçiganit dhe Minesotës, cilësia e ajrit është klasifikuar si “e rrezikshme”, ndaj autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të qëndrojnë brenda dhe të kufizojnë aktivitetet në ambiente të hapura.
Shërbimi Kombëtar i Motit i ShBA-së (NOAA) ka lëshuar alarme për cilësinë e ajrit që përfshijnë rajonin e Upper Midwest, Great Lakes dhe pjesë të verilindjes së vendit.
Sipas Qendrës Kanadeze për Zjarret Ndërinstitucionale (CIFFC), aktualisht në Kanada janë aktive 857 zjarre, ndërsa vetëm të enjten u raportuan 23 vatra të reja.
Të dhënat e Sistemit Kanadez të Informacionit për Zjarret në Natyrë tregojnë se shumica dërrmuese e tyre vazhdojnë të jenë jashtë kontrollit, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.
Grumbulli më i madh i zjarreve në veriperëndim të provincës së Ontarios po dërgon sasi të mëdha tymi drejt qyteteve si Thunder Bay dhe Toronto, ndërsa një pjesë e tij është përhapur edhe mbi rajonin e Liqeneve të Mëdha dhe Nju Jorkut, duke shkaktuar mjegull, si edhe lindje e perëndime dielli me ngjyrë më të kuqe se zakonisht.
Meteorologët parashikojnë stuhi të shumta në Ontario gjatë ditëve në vijim, por reshjet pritet të mos jenë të mjaftueshme për të frenuar përhapjen e zjarreve.
Ndërkohë, erërat nga veriperëndimi do të vazhdojnë ta shtyjnë tymin drejt shteteve veriore të ShBA-së gjatë fundjavës.
Ekziston shqetësimi se tymi mund të arrijë edhe në New Jersey, ku të dielën është planifikuar të zhvillohet finalja e Kupës së Botës.
Parashikimet tregojnë se nga dita e hënë drejtimi i erës do të ndryshojë, duke e orientuar tymin më shumë drejt Quebec-ut, çka pritet të sjellë përmirësim të cilësisë së ajrit në pjesën jugore të SHBA-së.